Prej datës 21 nëntor, deri më 30 nëntor në Tiranë e jo vetëm, po mbahet java e kulturës Shqipëri-Kosovë.
Kryeministri Edi Rama thotë se një larmishmëri aktivitetesh artistike, letrare, kinematografike dhe pa dyshim edhe patriotike do të dominojnë gjatë kësaj jave.
Edi Rama në rrjetin e tij social shkroi se aktivitetet e “Javës së kulturës Shqipëri-Kosovë” do të kulmojnë në datën 28, për Festën e Pavarësisë, me koncertin e Dua Lipës, në sheshin “Skënderbej”.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve është mbajtur koncerti i virtuozit Tedi Papavrami, në datën 25 nëntor në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Janë shfaqur edhe filmat si “Liqeni Im” i Gjergj Xhuvanit e “Shkëlqimi e rënia e shokut Zylo” i regjisorit Fatmir Koçi.
Organizatorët e Javëve Kulturore kanë përfshirë në këto aktivitete edhe shumë artistë nga Kosova, si soprano Besa Llugiqi, Baletin Kombëtar të Kosovës si dhe grupin e mirënjohur Jericho që është planifikuar të performojë tek Pazari i ri./Katror.info