Torino, Itali — Inteligjenca artificiale ndodhet aktualisht në një “fluskë industriale”, por teknologjia është e vërtetë dhe do të sjellë përfitime të mëdha për shoqërinë, tha themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, të premten.
Termi flluskë zakonisht i referohet një periudhe kur çmimet e aksioneve apo vlerësimet e kompanive shkëputen nga baza reale e biznesit. Një nga shembujt më të njohur është kriza e vitit 2000, kur vlera e kompanive të internetit ra ndjeshëm, shkruan CNBC, transmeton Katror.info.
Gjatë një bisede në Italian Tech Week në Torino, CEO i Exor, John Elkann, e pyeti Bezos nëse treguesit aktualë sugjerojnë se industria e AI është në një flluskë.
“Kjo është një lloj fluske industriale,” u shpreh Bezos.
Ai shpjegoi disa nga karakteristikat kryesore të fluskave, duke theksuar se shpeshherë çmimet e aksioneve shkëputen nga realiteti ekonomik i kompanive.
“Gjithashtu ndodh që njerëzit emocionohen shumë, ashtu siç janë sot me inteligjencën artificiale,” shtoi ai.
Bezos tha se gjatë fluskave financohen të gjitha idetë, të mira apo të këqija, dhe investitorët e kanë të vështirë të dallojnë mes tyre.
“Por kjo nuk do të thotë se ajo që po ndodh nuk është reale. AI është reale dhe do të ndryshojë çdo industri,” theksoi Bezos
Bezos: Fluskat industriale mund të kenë anë pozitive
Miliarderi solli edhe një shembull konkret: një kompani me vetëm gjashtë punonjës që merr miliarda dollarë financim. “Kjo është një sjellje shumë e pazakonshme,” tha ai, duke shtuar se aktivitete të tilla po ndodhin sot, pa përmendur ndonjë kompani të veçantë.
Sipas tij, edhe pse fluskat shpesh çojnë në falimentime, ato mund të kenë edhe ndikime pozitive. Ai kujtoi fluskën e bioteknologjisë dhe farmacisë në vitet 1990, e cila megjithëse eliminoi shumë kompani, solli zhvillimin e barnave shpëtuese.
“Fluskat industriale nuk janë aq të këqija, madje mund të jenë të mira. Sepse kur pluhuri ulet dhe shihen fituesit, shoqëria përfiton nga ato shpikje,” tha Bezos. “Kjo është ajo që do të ndodhë edhe me inteligjencën artificiale. Kjo është reale dhe përfitimet për shoqërinë do të jenë jashtëzakonshme.”
Paralajmërimet për fluskën e IA po shtohen
Bezos nuk është i vetmi zë i madh që ngre shqetësime për një fluskë në industrinë e inteligjencës artificiale. Në gusht, CEO i OpenAI, Sam Altman, raportoi se tregu i AI është në një fluskë, ndërsa edhe shumë investitorë kanë ngritur shqetësime të ngjashme.
Ndërkohë, Karim Moussalem, shef i investimeve në aksione tek Selwood Asset Management, deklaroi javën e kaluar se “tregtia me AI po fillon të ngjajë me një nga manitë më të mëdha spekulative në historinë e tregjeve.”
Burimi: CNBC
Përshtati dhe përktheu: Katror.info