Justin Bieber ka publikuar befas një album të ri, dhe fansat në mbarë botën janë duke e përjetuar si një kthesë të madhe në karrierën e tij muzikore. “SWAG”, albumi i tij i shtatë në studio, u publikua të premten, më 11 korrik, përmes shtëpisë diskografike Def Jam, dhe për shumë kë, ky projekt shënon një Justin tjetër.
Albumi përmban 21 këngë dhe bashkëpunime me emra si Gunna, Sexyy Red, Cash Cobain, Lil B, Eddie Benjamin dhe të tjerë. Titujt si “ALL I CAN TAKE”, “STANDING ON BUSINESS” dhe “FORGIVENESS” sugjerojnë një përmbajtje më introspektive dhe personale, një sinjal i qartë se ky nuk është Bieberi i zakonshëm.
Një burim i afërt me artistin i tha revistës PEOPLE se albumi është “më i errët, më i ndjeshëm dhe më pak i lëmuar” sesa punët e tij të kaluara, por pa u bërë i trishtë. “Nuk është depresiv, por është shumë më i thellë dhe me një zhvendosje të dukshme të zhanrit”, tha burimi.
Dhe kjo thellësi, sipas tij, është ndikuar edhe nga një burim shumë personal: djali i tij 10 muajsh, Jack Blues, të cilin Bieber e ka me bashkëshorten Hailey Baldwin Bieber.
Në prapaskenë, projekti nisi në mënyrë joformale. Në prill, u raportua nga The Hollywood Reporter se Bieber kishte filluar “sesione të improvizuara muzikore” në shtëpinë e tij në Los Angeles me bashkëpunëtorë si DJ Tay James, drejtori muzikor HARV, producenti Carter Lang (i njohur për bashkëpunimin me SZA) dhe artisti australian Eddie Benjamin.
Albumi nisi të bëhej temë e përfolur të enjten, kur një billboard i madh me portretin e Bieber dhe fjalën “SWAG” u shfaq në Islandë dhe më pas në Los Angeles. Po atë ditë, TMZ raportoi se ky ishte emri i albumit të ri, çka asokohe nuk ishte konfirmuar nga vetë artisti.
Një Reel i publikuar nga Bieber në Instagram në të njëjtën kohë tregonte një ekran gjigant në New York me një listë këngësh që përfshinte tituj si “DAISIES,” “DADZ LOVE,” “THERAPY SESSION” dhe “ZUMA HOUSE.”
Ndërkaq, më herët gjatë majit, një tjetër burim kishte konfirmuar për PEOPLE se Bieber po punonte në muzikë nga hoteli Eleven Deplar Farm në Ólafsfjörður, Islandë — një vend i izoluar por me një studio të shkëputur, ideale për krijimtari të thellë.
Albumi “SWAG” është tashmë i disponueshëm për dëgjim në Spotify dhe Apple Music. Me të, Justin Bieber jo vetëm që bën një rikthim, por edhe një deklaratë të re për atë që është si artist./Albanian Post/Katror.info