Përfaqësuesja e Lartë e BE’së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Kaja Kallas, e cila ka nisur sot një vizitë në rajon duke shkuar së pari në Beograd, nesër pritet të arrijë në Prishtinë.
BE e ka bërë publike agjendën. Në të thuhet se kryediplomatja e BE’së do t’i takojë krerët e partive politike, pa përmendur ndonjë zyrtar të institucioneve.
“Në Kosovë, Përfaqësuesja e Lartë Kallas do të takohet me përfaqësues të partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile. Ajo do të mbajë një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Evropës më 22 maj në orën 15:45, transmetuar drejtpërdrejt në EBS. Përfaqësuesja e Lartë Kallas do të vizitojë Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Ajo do të takohet edhe me komandantin e KFOR-it Enriko Barduani” thuhet në njoftimin e Brukselit.
Siç merr vesh Gazeta Express takimet e Kallas me krerë të partive do të mbahen në Zyrën e BE’së në Prishtinë të cilat janë të ftuara në nivel të liderëve të partive dhe dy zyrtarëve tjerë.
Javën që shkoi, Presidentja Osmani e takoi Kallasin në Tiranë në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropan duke njoftuar se kur zyrtarja e BE’së do të vijë në Prishtinë nuk do ta takojë, pasi do të jetë për vizitë në Zvicër.
Express nga burimet ka arritur të mësojë se kreu i AAK’së Ramush Haradinaj do të jetë njëri nga liderët që do ta takojë Kallasin nesër në ora 18:40, ndërsa nga LDK në takimin e ndarë me Kallas pjesëmarrës do të jenë Kryetari Lumir Abdixhiku, Nënkryetari Lutfi Haziri dhe Nënkryetarja Doarsa Kica -Xhelili.
Për dallim nga Presidenti Këshillit të BE’së i cili e takoi Kryeministrin në largim Albin Kurti në zyrën e tij, në njoftimin e BE’së nuk përmendet ndonjë takim i veçantë me Kurtin. Me gjasë edhe Kurti nga Kallas trajtohet nga BE si lider partie e jo si kryeministër në detyrë siç e quan ai veten e kryeministër në largim siç i referohet zyra e BE’së.Sidoqoftë partitë ende s’kanë publikuar ndonjë agjendë zyrtarë rreth takimeve të nesërme. /Katror.info
Përgatiti:
