Para dy vitesh, Katror u themelua me misionin e vetëm për ta riformësuar peizazhin medial në Kosovë, me qëllim që lajmet pozitive dhe frymëzuese, inicativat grupore e vetë-inicativat qytetare, që ndodhin kudo nëpër komunat e Kosovës, t’i mbizotërojnë narrativat e lajmet politike që na rrethojnë për ditë.
Në një botë tashmë të mbingarkuar me tituj negativë, Katror lindi si platformë e dedikuar për lajmet e mira, veçanërisht ato që vëjnë theksin në iniciativat e gjelbra, aktivizmin qytetar, kulturën, muzikën, edukimin, të drejta të njeriut e në një të ardhme, të qëndrueshme e të gjelbër.
Përgjithësisht, hulumtimet sugjerojnë se ekspozimi ndaj lajmeve negative mund të ndikojë negativisht në mirëqenien mendore duke rritur stresin, ankthin dhe ndjenjat e mungesës së shpresës. Shkencëtarët rekomandojnë që në epokën që po jetojmë, duhet të konsumojmë lajmet me përmbajtje më pozitive ose që fokusohen në zgjidhje, gjë që mund të ndihmojë në zbutjen e këtyre efekteve negative.
E Katrori e ka kuptu detyrën 🙂
Sot, pas dy vitesh pune, përkushtimi e vullneti, Katrori njihet për përpjekjet mediale në promovimin e lajmeve pozitive dhe ndërgjegjesimin qytetar në fusha të ndryshime, duke u kthyer në adresën kryesore për të gjithë ata e ato që duan të kontribuojnë dhe të lënë gjurmë pozitive në shoqërinë kosovare.
Përpos lajmeve e artikujve të shumtë për procese pozitive që kanë ndodhur në hapësirat shqipfolëse përgjatë kësaj kohe, Katror është angazhuar të sjellë tek ju mbi 60 edicione të aktivizmit qytetar, qindra video informuese, në kuadër të rubrikave tona për kulturë, sport, edukim, muzikë, ruajtje të mjedisit, të drejta të njeriut, të drejtat e grave dhe komuniteteve tjera të margjinalizuara, duke u bërë kështu dritare gjithëpërfshirëse për secilin e secilën. Duke mos harruar këtu edhe rreth 30 mijë artikuj me përmbajtje të gazetarisë konstruktive, e kontent tjetër motivues.
Katror, dalëngadalë po krijon vend në industrinë e mediave të Kosovës, duke u bërë dritë në fund të tunelit për ata që kërkojnë frymëzim dhe optimizëm në botën e sotme tejet dinamike.
Vizioni ynë ka mbetur i qartë e i palëkundur që prej ditës së parë, nxitja e shpresës dhe ndryshimit, për një të ardhme më të mirë, shoqëri pranuese e gjithëpërfshirëse dhe ndërgjegjësim qytetar.
Bashkë sjellim ndryshime. Gëzuar dy vjetorin Katror!