Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se gjatë ditëve të para të muajit korrik 2025, prodhimi i energjisë elektrike nga njësitë e saj ka tejkaluar kërkesën ditore të konsumit në vend, me një mbulueshmëri që ka arritur deri në 117 për qind.
“Ndonëse njësitë tona prodhuese janë të stërvjetëruara dhe përballen me sfida teknike të trashëguara, ato po operojnë me kapacitet të lartë, duke siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe të besueshëm për qytetarët e Kosovës,” ka bërë të ditur KEK në një njoftim zyrtar.
Sipas korporatës, prodhimi energjetik i realizuar në ditët e para të korrikut jo vetëm që ka përmbushur nevojat e konsumit vendor, por ka tejkaluar ato, duke dëshmuar, siç thuhet, qëndrueshmëri dhe stabilitet në sistemin energjetik.
Në reagim ndaj komenteve dhe interpretimeve publike për gjendjen në KEK, kompania ka ritheksuar përkushtimin ndaj transparencës, funksionimit të rregullt dhe zbatimit të ligjit.
“Faktet flasin vetë: prodhimi energjetik është i qëndrueshëm dhe tejkalon kërkesën; njësitë, përfshirë A3, janë në funksion të rregullt dhe kontribuojnë ndjeshëm në sistem; të gjitha procedurat e prokurimit zhvillohen sipas ligjit, nën mbikëqyrjen e institucioneve kompetente,” thuhet më tej në njoftim.
KEK ka ftuar publikun dhe institucionet që komunikimi për çështjet energjetike të bazohet në fakte të verifikueshme, integritet dhe etikë profesionale./Ekonomia Online/Katror.info