Një tryezë e rrumbullakët dy-ditore, e organizuar nën kornizën e Projektit BE–Këshilli i Evropës kundër Krimit Ekonomik, bashkoi këtë javë në Prishtinë përfaqësues kryesorë të institucioneve vendore për të forcuar reagimin ndaj rreziqeve të financimit të përhapjes (FP) — praktikave që mund ta lehtësojnë zhvillimin, blerjen ose shpërndarjen e armëve të shkatërrimit në masë.
Sipas përkufizimit të Task Forcës së Veprimit Financiar (FATF), financimi i përhapjes përfshin mbledhjen, lëvizjen ose vënien në dispozicion të fondeve, aseteve apo burimeve ekonomike për persona ose subjekte që synojnë përhapjen e armëve ose të mjeteve të tyre të shpërndarjes, përfshirë mallrat dhe teknologjitë me përdorim të dyfishtë për qëllime jo ligjore.
Gjatë tryezës, e cila përfshiu Njësinë e Inteligjencës Financiare (NJIF), Policinë, Agjencitë e Inteligjencës, Doganat, Ministrinë e Punëve të Jashtme, përfaqësues të tregtisë dhe industrisë, si dhe sektorin financiar dhe jofinanciar, ekspertët e Këshillit të Evropës dhe NJIF-i prezantuan mjetet dhe udhëzimet për vlerësimin e rrezikut sipas metodologjisë së FATF-it dhe Këshillit të Evropës.
Pikat kryesore të diskutimit përfshinin:
- identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve të shmangies së sanksioneve dhe trafikut të mallrave me përdorim të dyfishtë;
- teknikave të analizës strategjike dhe shqyrtimin e studimeve të rasteve konkrete;
- mekanizmat e koordinimit ndërsektorial dhe mënyrat e shkëmbimit të informacionit ndërmjet institucioneve.
Si rezultat i punimeve, pjesëmarrësit avancuan në përgatitjen e Analizës së Parë Strategjike Kombëtare mbi financimin e përhapjes — një dokument që synon të bashkojë informacionet dhe vlerësimet ndërmjet NJIF-it, forcave të zbatimit të ligjit, doganave, MPJ-së, institucioneve të tregtisë dhe sektorit privat për të krijuar një pamje të përbashkët të rreziqeve dhe ndërlikimeve të mundshme.
Përfaqësuesit e Këshillit të Evropës vlerësuan se iniciativa përfaqëson një hap kyç drejt mbrojtjes së sistemeve financiare dhe tregtare nga shfrytëzimi në funksion të përhapjes së armëve të shkatërrimit, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve dhe ndarjes së të dhënave për reagim më efikas.
Ky aktivitet ndërkombëtarisht e mbështetur synon të rrisë kapacitetet vendore për të identifikuar, parandaluar dhe goditur rrjetet dhe mekanizmat financiarë që mund të përdoren për qëllime të përhapjes — një fushë që kërkon vëmendje të vazhdueshme për shkak të implikimeve serioze për sigurinë rajonale dhe globale./Katror.info