Ndonëse nuk pati një program të veçantë, në mesin e rreth 12 mijë vizitorëve gjatë vitit 2023, Muzeun Kombëtar të Kosovës e vizituan edhe fëmijët e kopshteve.
Krahas renovimit, restaurimit dhe trajtimit të fondit muzeor që pritet të fillojë gjatë vitit 2024, kërkohet edhe një program i veçantë për këtë grup-moshë, në mënyrë që ata të ndahen sa më të kënaqur.
Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Kosovës, Vjollca Aliu thotë se deri në gjysmën e dhjetorit 2023, numri i vizitorëve ka qenë 11 mijë e 451.
Ajo thotë se mbi 3 mijë persona kanë vizituar Kompleksin etnologjik “Emin Gjiku”, ndërsa rreth 4 mijë të tjerë Muzeun “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova”.
Aliu potencon se krahas detyrave dhe prioriteteve për 2024, obligohen të hartojnë edhe një program për fëmijët e kopshteve.
Nevoja për të filluar renovimin, restaurimin dhe trajtimin e Muzeut Kombëtar të Kosovës po konsiderohet më se domosdoshme nga drejtoresha, Vjollca Aliu, e cila u shpreh për një intervistë për Kosova Press.
Ajo shpreson që gjatë vitit 2024, projekti për rregullimin e Muzeut do të jetë prioritet i Ministrisë së Kulturës.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, thotë se tashmë ekziston projekti përfundimtar i restaurimit të përgjithshëm të ndërtesës së Muzeut Kombëtar të Kosovës.
Çeku potencon se pjesë qendrore e renovimet janë depot, hapësirat ku ruhen eksponatet, artefaktet dhe koleksioni muzeor. Ai beson se me këto punime, do të krijohen kushte për ruajtjen më të mirë dhe më të dinjitetshme të pasurisë së muzeut.
Ndër ekspozitat më të veçanta, drejtoresha Vjollca Aliu konsideron fotografitë e fotografëve Afrim Hajrullahut dhe Alban Bujarit, derisa vlerësoi si të mira edhe ekspozitat e tjera./Katror.info