Në kinemanë nën qiellin e hapur, në ambientet e ‘EDHE’ në Prishtinë, nisi edicioni i tretë i PriGlobal – java e filmit artistik-ndërkombëtar, pjesë e programit vjetor të PriFest.
Nata u hap me filmin ‘Pinksterprins’ nga Holanda, një portret i thellë dhe emocional I një të riu me momente reflektimi ndaj komunitetit fetar, shkruan Katror.info.
I bazuar në përvojën personale të regjisorit Karsten de Vreugd, filmi hap diskutime mbi rolin e fesë dhe procesin e vetë-reflektimit.
“Jam shumë i lumtur dhe i lehtësuar, sa herë që shfaq një film të ri tek audienca ndjehem i tensionuar dhe shpresoj që u pëlqen, por ishte shumë mirë ta prezentoja filmin këtu dhe në fund pyetje-përgjigjet” – tha regjisori.
“Nuk doja të tregoja një histori për veten time, më duket pak narciste dhe egocentrike, por shpresoj të jetë një histori më e madhe ku njerëzit e gjejnë veten e jo të mbetet thjesht si historia ime. Edhe pse ka llojshmëri kulturash, e ndjeva audiencën që të gjithë kanë përjetuar situatën e ‘krijimit të identitetit’ njëjtë si unë” – u shpreh De Vreugd.
Pas shfaqjes së filmit, publiku pati mundësi të ndajë reagimet e tij, përmes një diskutimi të hapur me regjisorin. Pyetje e reflektime personale u ndanë në një atmosferë intime e mendjehapur.
“Ishte një atmosferë shumë e bukur, më pëlqeu shumë, po ashtu e shijova filmin jashtëzakonisht shumë sepse kurrë nuk kam parë një temë të portretizuar si kjo, akoma më duhet ta procesoj, aktrimi ishte fenomenal dhe mund të bashkëndjej me personazhin kryesor” – komentoi një nga të pranishmit në publik.
Fatos Berisha, përgjegjësi i programit PriGlobal, rrëfeu emocionet e natës së hapjes që solli përzgjedhja e temës së filmit dhe rëndësinë që pati premiera ndërkombëtare për publikun.
“Janë këto aktivitete vjetore që po i bëjmë falë edhe mbështetjes së Ministrisë së Kulturës, aktivitetet verore te ky ambienti i jashtëzakonshëm në ‘Edhe’, te kjo kinemaja që kushdo që po vjen, po dashurohet, përfshirë unë i pari. Kështu që mendoj që filloi me këmbë të mbarë edhe kjo javë” – u shpreh ai.
Sipas organizatorëve, kinemaja në qiell të hapur është pritur shumë mirë nga publiku, duke krijuar një ambient të ngrohtë ku filmi, muzika dhe reflektimi ndërthuren në mënyrë natyrale.
“Ka shumë të interesum, ka shumë njerëz që po vijnë me i pa filmat dhe filmat që janë përzgjedhë për këtë vit po duket që po u pëlqejnë shumë njerëzve, kjo na bën shumë të lumtur dhe nuk e ndiejmë atë pjesën e përgatitjes edhe lodhjes, përderisa po shohim që gjithçka po rezulton bukur, edhe njerëzit po e shijojnë” – tregoi Armend Zeqiri, Menaxher i Zyrës së PriFest.
Ai shtoi se PriFest si aktivitet kryesor pritet të mbahet së shpejti.
“PriFest si edicion kryesor i joni do të mbahet në shtator, prej datës 9-14 shtator. Tashmë veç e kemi shfaq imazhin e këtij edicionit të Prifestit. Kemi shumë mysafirë, kemi shumë filma, jemi në përgatitje, jemi në atë fazën e detajeve, ku jemi tu i punu detajet e programeve, është mbyll aplikimi për për paraqitjen e filmave, ajo është duke u bërë përzgjedhja finale e tyre.”
Programi i tri netëve të PriGlobal, do të vazhdojë me ngritjen e punk rock-ut në Poloninë e viteve ’70, deri te aventurat në një shoqëri sekrete erotike në Berlinin modern e të çliruar.
PriGlobal po krijon një urë mes Prishtinës dhe kinemasë botërore, duke sjellë jo vetëm filma e muzikë, por edhe bashkëbisedime që zgjojnë ndjeshmërinë. /Katror.info