Akademia e Shkencave të Shqipërisë shpalli thirrjen për pjesëmarrje në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Zhvillimi i arsimit kombëtar dhe i gjuhës shqipe”.
Thirrja bëhet për pjesëmarrje me kontribut shkencor. Propozimet mund të dërgohen drejtpërsëdrejti në adresën e komitetit shkencor-organizues ose në Akademinë e Shkencave, e cila do të mbështesë pjesëmarrësit në konferencën, e cila do të zhvillohet gjatë muajit nëntor, në mjediset e Muzeut të Alfabetit në Manastir (Maqedoni e Veriut), lajmëron KultPlus.
Kjo konferencë mbahet në kuadër të veprimtarive nderuese për përvjetorin e Kongresit historik të Manastirit dhe të festës zyrtare të shqipes në Maqedoninë e Veriut.
Viti 2024 në Shqipëri është shpallur “Vit i gjuhës shqipe”: 22 nëntori, dita e fundit e Kongresit të Manastirit, është vendosur të shpallet festë zyrtare e shqipes.
Gjatë ditëve të veprimtarisë, Akademia e Shkencave do të paraqesë për herë të parë (në Tiranë) publikisht në mënyrë tërësore realizimin e projektit shkencor madhor për “Fjalorin e madh të shqipes”./Katror.info