Kori “Siparantum” nga Kosova ka shkëlqyer në edicionin e 14-të të World Choir Festival on Musical & Competition, i mbajtur në sallën ceremoniale të Universitetit “Aristoteli” në Selanik, duke lënë gjurmë mes pjesëmarrësve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Greqia, Sllovakia, Polonia dhe Serbia.
Pas një gare të ngushtë dhe me një nivel jashtëzakonisht të lartë artistik, kori “Siparantum” u rendit në vendin e dytë dhe u nderua me Medaljen e Argjendtë — një arritje që e konfirmon edhe një herë talentin dhe përkushtimin e tyre muzikor, ka njoftuar vetë Kori në një postim në Facebook.
Vendin e parë në këtë kompeticion prestigjioz e fitoi kori i njohur “Brigham Young University Singers” nga SHBA, nën drejtimin e dirigjentit të mirënjohur Dr. Andrew Crane, duke përforcuar reputacionin e tyre si një nga koret më të mira në botë.
Ky është një tjetër sukses i madh për “Siparantum”, i cili prej vitesh po përfaqëson me dinjitet dhe krenari Kosovën në skenat ndërkombëtare të muzikës korale./Katror.info