Kosova është përfshirë zyrtarisht në Nismën për Anëtarët Kandidatë për Zgjerim (ECMI) të Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian (EESC) – një hap i rëndësishëm drejt afrimit me strukturat evropiane të dialogut qytetar dhe social.
Kosova ishte përjashtuar nga kjo nismë e formalizuar në vitin 2023, për shkak të mungesës së statusit të vendit kandidat për integrim në Bashkimin Evropian.
Sipas njoftimit të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KCSF), përfshirja e Kosovës u mundësua falë angazhimit të vazhdueshëm të KCSF-së përmes Rrjetit Ballkanik për Zhvillim të Shoqërisë Civile (BCSDN) dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerë rajonalë. Kjo përpjekje është mbështetur gjithashtu nga Presidenti i EESC-së, z. Oliver Röpke, thuhet në njoftim.
“Përmes këtij rrjeti, KCSF ka koordinuar një fushatë avokuese rajonale të mbështetur nga 104 organizata të shoqërisë civile nga i gjithë Ballkani, me qëllim që Kosova të përfshihej në këtë nismë të rëndësishme evropiane që forcon zërin e shoqërisë civile në procesin e zgjerimit të BE-së,” thuhet në njoftimin e KCSF.
KCSF e ka vlerësuar këtë zhvillim si një arritje të rëndësishme për shoqërinë civile kosovare, që tashmë do të ketë mundësi të barabarta për pjesëmarrje në debatet dhe politikat evropiane për zhvillim, integrim dhe demokraci./Katror.info