Sot kanë filluar punimet në projektin e rrugës Prizren – Tetovë, përkatësisht në segmentin Struzhë – Kyçja në autoudhën “Ibrahim Rugova” në Prizren.
Projektin për ndërtimin e kësaj rruge që përfshinë njërën rrugë në dalje të autostradës “Ibrahim Rugova” dhe tjetra në afërsi të Fshatit Struzhë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e ka tenderuar që në muajin prill të këtij viti në 3 llote.
Në LOT-in 1 dhe LOT-in 3, punimet filluan sot.
Vlera totale e projektit është paraparë të jetë 35 milionë euro, me gjatësi prej 20.3 km.
Nga vendpunishtja e LOT-it 3, kryeministri Albin Kurti, tha se ky projekt është i rëndësisë së jashtëzakonshme infrastrukturore Prizren – Tetovë, që lidh këto dy qytete, që lidh këto dy shtete, me rëndësi të veçantë si për qytetarët ashtu edhe për ekonominë.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu u shpreh se ky projekt përpos që e lidh Autostradën “Ibrahim Rugova” me koridorin Jon-Adriatik dhe me koridorin 8 nga ana tjetër që është Tetova, shërben edhe për turizëm malor nga të dyja anët dhe kontribuon në zhvillimin ekonomik të dy vendeve./Katror.info