Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se ka marrë pjesë në takimin e radhës të Ministrave të Brendshëm në kuadër të Procesit të Berlinit, duke thënë se Kosova mbetet palë aktive në këtë proces.
Në këtë proces të tri sesioneve, Kosova ka prezantuar angazhimet në kuadër të bashkëpunimit rajonal në sektorin e sigurisë.
Sveçla ka vlerësuar se përkundër sfidave, Kosova ka shënuar sukses të vazhdueshëm.
“Republika e Kosovës mbështet dhe mbetet një palë aktive në Procesin e Berlinit, e përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal mbi parimet themelore të respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve të Ballkanit Perëndimor”.
Ai ka thënë se pjesëmarrja e Kosovës në këtë takim vjen pas ftesës së Sekretares për Punë të Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, Shabana Mahmood.
“Përkundër sfidave, Republika e Kosovës ka shënuar suksese të vazhdueshme në forcimin e bashkëpunimit rajonal me synim rritjen e nivelit të sigurisë, luftimin e grupeve kriminale dhe parandalimin e krimeve ndërkufitare”./AP/Katror.info.