Selektori i Kombëtares së Kosovës në hendboll, Agron Shabani, ka publikuar listën e lojtareve të ftuara për dy ndeshjet e para të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2026, ku Kosova do të përballet me Francën dhe Kroacinë.
Federata e Hendbollit e Kosovës ka bërë të ditur se për shkak të lëndimeve, Kombëtarja do të ketë disa mungesa të rëndësishme, çka do t’i hapë rrugë lojtareve të reja për të fituar përvojë dhe minuta të vlefshme në arenën ndërkombëtare.
Në listë janë përfshirë emra si Orgesa Gola, Arona Krasniqi, Xhesika Mehmetaj, Elvina Qorraj, Alina Donjeta Shabani, Arjeta Imeraj dhe Diona Dresh, të cilat do të kenë mundësinë të tregojnë vlerat e tyre në sfida shumë të vështira.
Gjithashtu janë ftuar edhe Bleona Nuredini dhe Djellza Hetemaj, ndërsa konfirmimi i ardhjes së tyre pritet në ditët në vijim.
Kombëtarja e Kosovës do të grumbullohet më 12 tetor në Prishtinë, ndërsa ndeshja e parë do të zhvillohet më 15 tetor në Nimes të Francës kundër përfaqësueses vendase, shkruan RTKlive. Katër ditë më vonë, më 19 tetor, Kosova do të presë Kroacinë në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, me fillim nga ora 17:15./Katror.info