Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka publikuar Listën e anëtarëve themelues të Odave të Arkitektëve dhe Inxhinierëve në fushën e ndërtimit, raporton Ekonomia Online.
Këtë proces, Aliu e ka quajtur tejet të rëndësishëm për ndërtimin në vend. Ai ka bërë të ditur se rreth 1669 inxhinierë dhe arkitektë bashkërisht do të mund të jenë anëtarë të këtyre odave.
Tutje, ai ka theksuar se në dhjetor do të mbahet Kuvendi i Parë Zgjedhor ku do të zgjidhen edhe drejtuesit e tyre, ndërsa është hapur zyrtarisht edhe faza për nomiminim e anëtarëve të Bordit.
“Rreth 1669 inxhinierë dhe arkitektë bashkërisht do të mund të jenë anëtarë të Odave të Arkitektëve dhe Inxhinierëve. Në dhjetor do të mbahet Kuvendi i Parë Zgjedhor ku do të zgjidhen edhe drejtuesit e Odave të Arkitektëve dhe Inxhinierëve. Në kuvendin e parë do të mund t’i marrin licencat e tyre të inxhinierëve dhe arkitektëve. Pra, edhe zyrtarisht sot e hapim fazën për nominim për anëtarë të Bordit e që do të zgjidhen nga vetë anëtarët. 15 ditë është afati i paraparë që të nominohet për këto pozita”, tha Aliu, i cili shtoi se anëtarët mund ta nominojnë vetvetën dhe dikë tjetër.
Xhemajl Metolli, kryetar i komisionit, tha se i gjithë procesi ka qenë sfidues.
“Unë sot si kryesues ndihem i kënaqur që arritëm ta finalizojmë listën e anëtarëve të të dyja Odave. Pra ne si komision kemi pasur takime e kemi pasur shumë sfida për të ardhur deri këtu në draftimin e rregullores”. /Katror.info