Sot në Kosovë mbahen zgjedhjet lokale për zgjedhjen e kryetarëve të 38 komunave si dhe për përfaqësues në asambletë komunale. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se vendvotimet në të gjitha komunat e Kosovës do të jenë të hapura nga ora 7:00 deri në 19:00.
Hoxha: Të gjitha përgatitjet për zgjedhjet janë bërë me kohë
09:05 / Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka folur për përgatitjet e Policisë së Kosovës për ditën e sotme, kur qytetarët votojnë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në nivel lokal.
Ai ka theksuar se Policia e Kosovës ka bërë përgatitjet që nga fillimi i fushatës zgjedhore, duke ndjekur një plan të detajuar veprimi për të siguruar mbarëvajtjen e procesit.
“Plani operativ është përgatit shumë kohë më përpara, sepse ne punojmë me disa faza të planit, qysh prej fillimit të fushatës zgjedhore e deri te dita e zgjedhjeve dhe pastaj, siç është dita finale, po edhe menaxhimi i situatës pas shpalljes së rezultateve e deri te përfundimi i numërimit të votave në qendrën e numërimit të rezultateve nga KQZ-ja”, ka thënë Hoxha.
KQZ: Votimi ka nisur me kohë
8:11/ Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se në orët e hershme të mëngjesit është shpërndarë materiali në të gjitha qendrat e votimit.
Ai ka thënë se procesi i votimit për zgjedhjet lokale ka nisur me kohë në të gjitha qendrat, përjashtimisht në ndonjërën që ka pasur sipas tij ndonjë vonesë të vogël.
Sipas tij, sot procesi i votimit zhvillohet në 948 qendra. Elezi ka thënë se përveç organizimit të votimit në vendet e rregulla, është organizuar edhe votimi përmes ekipeve mobile. “KQZ-ja ka certifikuar 93 subjekte politike, 32 parti, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se sot “pas numërimit të fletëvotimeve, pas përfundimit të procesit të votimit do të arrijnë të prezantojnë rezultatet preliminare”, shkruan Koha.net.
“Është punuar shumë që të mos kemi vonesa”, ka thënë ai.
Radoniqi: KQZ-ja ka marrë masa që të mos përsëriten problemet e 9 shkurtit me numërim
07:40 / Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka hedhur votën në Qendrën e Votimit në Pejë.
Pas votimit, ai tha se KQZ-ja ka marrë të gjitha masat që të mos përsëriten problemet e ngjashme me ato të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, kur platforma e publikimit të rezultateve ka pasur pengesa të vazhdueshme.
“Në këto zgjedhje kemi përmirësuar platformën, ku presim të dalim me rezultatet preliminare. Gjithashtu, edhe qendrat komunale të numërimit janë të pajisura me të gjitha pajisjet për numërim”, tha Radoniqi.
KQZ: Kontrolloni vendvotimin, mos harroni letërnjoftimin
07:07 / Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë thirrje për të gjithë qytetarët me të drejtë vote që para se të shkoni në vendvotim, të kontrollojnë se ku e kanë vendvotimin.
KQZ përmes një postimi në Facebook, apelon qytetarët që të kenë kujdes të marrin me vete një nga dokumentet e vlefshme: letërnjoftimin, pasaportën ose lejen e vozitjes. Para se të shkoni në vendvotim, kontrolloni ku votoni. Lexo lajmin e plotë këtu.
Kush garon?
Sipas të dhënave të KQZ-së, në mbarë vendin janë organizuar 938 qendra votimi me gjithsej 2.625 vendvotime.
Për qytetarët që votojnë nga jashtë vendit, është mundësuar votimi me postë – proces që ka nisur më 17 shtator dhe ka përfunduar më 11 tetor.
Për zgjedhjet lokale janë certifikuar 5.626 kandidatë, përfshirë 206 kandidatë për kryetarë komunash dhe të tjerët për ulëse në kuvendet komunale.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në garë janë 93 subjekte politike, ndër to 32 parti, 32 iniciativa qytetare, 2 koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur.
Votuesit duhet të plotësojnë dy fletëvotime në kabinën e votimit: një për kryetarin e komunës dhe një tjetër për kandidatin për kuvendin komunal, duke shënuar numrin e kandidatit dhe subjektin politik me të cilin ai garon.
Zgjedhjet lokale mbahen në të gjitha komunat e Kosovës, përfshirë edhe ato me shumicë serbe në veri të vendit.
Për më shumë se dy vjet, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë.
Kjo pasoi dorëheqjet e përfaqësuesve të Listës Serbe në nëntor të vitit 2022, në shenjë proteste ndaj vendimit të autoriteteve të Kosovës për t’i hequr nga qarkullimi targat serbe të automjeteve.
Në prill të vitit 2023, serbët e veriut – duke ndjekur udhëzimet e Listës Serbe – i bojkotuan zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale.
Bojkotim kishte edhe një vit më vonë, në prill të vitit 2024, gjatë votimit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë.
Në zgjedhjet e sotme, Lista Serbe ka kandidatë për kryetarë komunash në të dhjetë komunat me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok, Graçanicë, Shtërpcë, Novobërdë, Kllokot, Partesh dhe Ranillug, si dhe në Obiliq.
Kandidatë në komunat me shumicë serbe kanë edhe disa parti tjera serbe: Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Demokracia Serbe, Lëvizja Popullore Serbe, Aleanca e Kosovës, si dhe disa iniciativa qytetare./Katror.info