Kosova edhe sivjet është pjesë e panairit më të madh të librit në botë. I quajtur në gjermanisht “Frankfurter Buchmesse”, Panairi Ndërkombëtar i Librit në Frankfurt është hapur të martën në Gjermani. Në Sallën 4.1, shtandi C96, Shoqata e Botuesve të Kosovës, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka hapur stendën kolektive të Kosovës, e cila shërben njëherësh edhe si stendë e letërsisë mbarëkombëtare shqipe. Qindra libra dhe mbi njëzet shtëpi botuese janë pjesë e saj, duke ruajtur traditën prej dekadash të prezantimit të letërsisë shqipe në këtë ngjarje që mbledh profesionistë të librit e qindra mijëra vizitorë nga mbarë bota. Është një traditë që Kosova e nisi qysh më 2002.
Panairi zhvillohet prej 15 deri më 19 tetor dhe këtë vit sjell një program të pasur me debate, prezantime e takime me autorë ndërkombëtarë. Janë mbi 4 mijë botues. Një nga risitë është “Centre Stage”, një hapësirë e re në Sallën 4.1 ku do të diskutohen tema thelbësore si inteligjenca artificiale, liria e shprehjes dhe autoritarizmi, nën moton “Frankfurt Calling – Perspectives on Culture and Politics”, “Frankfurti thërret – Të premten do të mbahen ngjarje profesionale si masterklasa, sesione rrjetëzimi dhe “Frankfurt Rights Meeting” për agjentët ndërkombëtarë të të drejtave dhe licencave. Vëmendje në këtë edicion po merr një jubile i veçantë: 200-vjetori i alfabetit Braille, me një ekspozitë në hollin e Sallës 4.1, ku gjendet edhe shtandi i Kosovës.
Në ceremoninë e hapjes, që është mbajtur një ditë para se panairi të hapet për vizitorë, organizatorët kanë vënë theks të veçantë mbi shqetësimet për demokracinë dhe frikën ndaj inteligjencës artificiale. Në fjalimin hapës, drejtori i panairit, Juergen Boos, ka thënë se “Panairi i Librit në Frankfurt bashkon njerëzit nga e gjithë bota dhe kjo ka më së shumti rëndësi në ditët e sotme”.
Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, e cila atje është si përfaqësuese e botimeve të disa shtëpive botuese e institucioneve vendore ka thënë se pjesëmarrja në Frankfurt ka rëndësi të madhe për vendin.
“Kosova ka krijuar traditë pjesëmarrjeje në panairin më të madh të librit në botë në Frankfurt të Gjermanisë. Është organizim i cili bën bashkë profesionistët e librit nga bota mbarë dhe, ndër dhjetëra vende pjesëmarrëse, është edhe shteti i Kosovës me organizimin e Shoqatës së Botuesve të Kosovës me ndihmën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Janë qindra botime të dhjetëra autorëve e mbi njëzet botuesve të cilat prezantohen në Panair. Pos karakterit simbolik e diplomatik, pjesëmarrja në këtë ngjarje është mundësi e depërtimit të një letërsie të vogël në oqeanin e gjerë të librit në botë”, ka thënë ai në një përgjigje për KOHËN.
Ka shtuar se gjatë fundjavës do të ketë edhe takime me autorë. Ky takim me autorë organizohet nga Seveme Fetiqi e Loreta Schillock.
“Në fundjavë, janë disa autorë të cilët prezantohen në stendë: Shqipe Malushi me librin ‘Udhëtim në mesnatë’, Bashkim Hoxha me librin ‘Kronikat e mjegullës’, Abdullah Zeneli me librin ‘Rapsodi për gjethet’, Aziz Mustafa me librin ‘Nëse vdekja pret’, Bekim Blaku me librin ‘Qetësi e prishur’, Brahim Avdyli me librin ‘Thikat e mllefit’ dhe Marigona Kelmendi me librin ‘Rimat e qiellit’”, ka shtuar Zeneli.
Sipas tij, mungesa e Shqipërisë në këtë edicion si përfaqësim zyrtar është një boshllëk i ndjeshëm, teksa ka theksuar se autorët nga të gjitha trevat shqiptare përfaqësohen në stendën e Kosovës sikur në shtëpinë e vet.
“Pjesëmarrja është e rëndësisë globale. Në fushën e librit nuk ka një ngjarje që i afrohet këtij Panairi për nga shtrirja dhe për nga rëndësia. Autorët, botuesit e përkthyesit nga Shqipëria, stendën e Kosovës e kanë stendë të tyren. Është mëkat që Shqipëria mungon në prezantimin zyrtar por gjuha shqipe e autorët shqiptarë përfaqësohen në stendën e Kosovës, gjë që zbut këtë mungesë që dhemb”, ka thënë ai.
I ftuar nderi i këtij viti është Filipinet, vend që vjen me temën “Fantasie beseelt die Luft” (Të fantazuarit sjell frymë), të frymëzuar nga figura e shkrimtarit José Rizal. Pavijoni i tyre, i ndërtuar prej bambuje, guaskash dhe fibrash ananasi, paraqet mbi 100 shkrimtarë, artistë e krijues, ndërsa janë planifikuar mbi 70 ngjarje që reflektojnë pasurinë kulturore dhe letrare të këtij vendi aziatik. Panairi, si çdo vit, mbetet një hapësirë ku ndërthuren letërsia, diplomacia kulturore dhe idetë e reja për botën e librit.
Prej autorëve pjesëmarrës në stendën e Kosovës, shkrimtari Bashkim Hoxha ka vlerësuar se prezantimi në Panairin e Frankfurtit është një mundësi e rrallë për letërsinë shqipe.
“Bëhet fjalë për romanin ‘Kronikat e mjegullës’, që më parë ka marrë në Kosovë çmimin ‘Rexhai Surroi’, si romani më i mirë i vitit 2019. Është përkthyer në gjermanisht nga Loreta Schillock, e cila ka edhe një shtëpi botuese të re në Gjermani, adresuar drejt letërsisë ballkanike. Ajo e ka përgatitur për Panair këtë dhe stenda e Kosovës na ka dhënë hapësirë për ta vendosur atje këtë libër. Ndërkohë, Konsullata e Kosovës në Frankfurt ka organizuar dhe një takim të posaçëm për shqiptarët dhe për miqtë e Konsullatës një natë para se ta kemi prezantimin në Panair”, ka thënë Hoxha në një bisedë me KOHËN.
Ai ka shtuar se romani është promovuar në Gjermani dhe prezantimi në Panair do të bëhet krahas disa botimeve të autorëve të tjerë shqiptarë në gjuhën shqipe dhe pas një prezantimi edhe të poezive të Martin Camajt. Sipas tij, është menduar një aktivitet i plotë me autorë të të gjitha trevave që do të jetë në mesditën e datës 18 tetor.
“Libri është botuar në gjermanisht në Gjermani, është shpërndarë në pak librari deri tani dhe shpresojmë ta promovojmë denjësisht atë. Jam mirënjohës ‘Buzukut’ që e organizon edhe stendën e botuesve të Kosovës, sepse i ka krijuar një vend të dukshëm në të gjithë këtë program të Panairit. Për fat të keq, këndej nga Shqipëria ky lajm nuk ekziston. Shqipëria nuk ka stendë. Romani im duhej të ishte në stendën e shtëpisë botuese gjermane, por meqë është një shtëpi botuese e vogël, ka gjetur hapësirë në stendën e Kosovës”, ka shtuar ai.
Vitin e kaluar, në këtë Panair, liria e shprehjes qe shndërruar si një lloj maksime e zëshme në hapje, e shkas për këtë qe bërë mysafiri i nderit: Italia. Një grup shkrimtarësh italianë, kritikë ndaj Qeverisë së Italisë, patën kritikuar mënyrën e përfaqësimit të shtetit italian si përjashtuese të zërit të tyre.
Edhe pse ka dokumente që përmendin se në Frankfurt u mbajt një panair libri që në vitin 1462, versioni modern i Panairit të Librit të Frankfurtit u mbajt për herë të parë në vitin 1949.
Përgjatë historisë së tij 77-vjeçare, një nga arritjet më të mëdha të ngjarjes ka qenë ndërtimi i urave nëpërmjet “diplomacisë së librit”. Në mes të Luftës së Ftohtë, vende të ndryshme të Bllokut Lindor – Bashkimi Sovjetik, Polonia, Hungaria, Çekosllovakia dhe Jugosllavia – morën pjesë në Panairin e Librit të Frankfurtit për herë të parë më 1955. Po atë vit, Gjermania Lindore ofroi gjithashtu kontributin e saj të parë në një shtand kolektiv të quajtur “Libra nga tregtia e brendshme gjermane”. Siç përshkruhet nga gazeta “Frankfurter Rundschau” më 1957, Panairi i Librit ishte në atë kohë ngjarja e vetme e biznesit në botë që lejonte “iluzionin e një bote të bashkuar” të ringjallej përkohësisht në mes të rivalitetit të vazhdueshëm politik që kundërshtonte Perëndimin dhe Lindjen: “Për librin përballë në Frankfurt, nuk ka vend të askujt mes kundërshtarëve, ata janë ngjitur nga llogoret, duke i dhënë dorën njëri-tjetrit pa detyruar një buzëqeshje diplomati”./Koha.net/Katror.info