Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë ka përcjellë urimet e tij për homologët në Kosovë pas përfundimit të procesit zgjedhor të 12 tetorit.
Në një postim zyrtar, KQZ-ja shqiptare ka vlerësuar punën profesionale, transparente dhe të paanshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës dhe kryetarit të tij, Kreshnik Radoniqi.
“Përcjell urimet e mia më të sinqerta për Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës, Kreshnik Radoniqi, dhe të gjithë anëtarët e Komisionit, për administrimin profesional, transparent dhe të paanshëm të zgjedhjeve vendore të djeshme,” thuhet në reagimin e institucionit.
KQZ-ja e Shqipërisë ka përgëzuar gjithashtu partitë politike, shoqërinë civile, mediat dhe qytetarët e Kosovës për kontributin e tyre në zhvillimin e një procesi zgjedhor të qetë dhe demokratik, që – siç thuhet – “forcon besimin publik dhe vlerat evropiane të demokracisë”./Katror.info