Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njofton se periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim me postë në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale është ende e hapur dhe vazhdon deri më 29 gusht 2025.
Të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar individualisht si votues jashtë Kosovës. Aplikimet mund të bëhen në dy mënyra:
Përmes platformës elektronike të KQZ-së në adresën: https://diaspora.kqz-ks.org;
Përmes postës, duke dërguar formularin e aplikimit në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.
“Nga data 23 korrik deri më 22 gusht 2025, përmes platformës elektronike janë pranuar gjithsej 16,902 aplikime, prej të cilave janë aprovuar 13,360 dhe janë refuzuar 3,542 aplikime. Shumica e aplikimeve të refuzuara kanë munguar dokumentacionin e nevojshëm që dëshmon adresën e banimit jashtë Kosovës, si p.sh. dokument identifikues me adresë, vërtetim nga autoritetet lokale, kontratë qiraje, faturë shërbimesh, ose dokumente të tjera të ngjashme”, thuhet në njoftim.
KQZ thekson se aplikimet e pakompletuara, që nuk përmbajnë dokumente mbështetëse, do të refuzohen. Të gjithë aplikuesit e refuzuar do të njoftohen individualisht për arsyet e refuzimit dhe do të kenë mundësi të ri-aplikojnë gjatë periudhës së regjistrimit, duke bashkëngjitur dokumentacionin e duhur.
Sipas KQZ-së, vetëm votuesit që do të regjistrohen gjatë kësaj periudhe do të kenë të drejtë të votojnë përmes postës në periudhën që fillon më 17 shtator dhe përfundon më 11 tetor 2025.
KQZ fton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që jetojnë jashtë vendit të shfrytëzojnë këtë mundësi për të ushtruar të drejtën e tyre zgjedhore./RTK/Katror.info.