Pavarësisht thashethemeve të fundit se kasti i vjetër i Avengers (The Avengers) po kthehet në Universin Kinematik të Marvel, Kevin Feige, kreu i Marvel, ka konfirmuar se Robert Downey Jr. nuk do të përsërisë rolin e Iron Man, shkruan Variety.
Feige zbuloi në një intervistë të fundit se Marvel nuk ka plane të ringjallë Tony Stark, i njohur gjithashtu si Iron Man, pas vdekjes së tij në Avengers: Endgame të vitit 2019.
“Ne do ta mbajmë atë moment dhe nuk do ta prekim më”, tha Feige për vdekjen e Tony Stark. “Ne të gjithë kemi punuar shumë gjatë viteve për të arritur në atë moment dhe nuk duam ta zhbëjmë atë në mënyrë magjike”.
Feige kujtoi gjithashtu se si ai dhe regjisori Jon Favreau kërkuan që Robert Downey Jr të luante Tony Stark, pavarësisht nga e kaluara e tij e trazuar.
“Gjithçka erdhi për shkak se bordi i Marvel-it ishte nervoz që të gjithë filmat e tyre të ardhshëm të vareshin nga një person që kishte një histori problemesh me ligjin”, tha Feige. “Unë nuk marr jo si përgjigje, por gjithashtu nuk rrah gjoksin për të marrë atë që dua. Përkundrazi, përpiqem të mendoj mënyra për t’i bindur të tjerët që duhet të shkojmë në atë drejtim”.
Downey Jr. ai luajti për 11 vjet në Marvel Cinematic Universe dhe personazhi i tij u shfaq në nëntë filma. Me kalimin e viteve, ai u bë mentor i kolegëve të tij aktorë.
“Ne bënim shaka dhe thoshim se Roberti ishte kreu i departamentit të aktrimit sepse të gjithë e shikonin atë”, tha Feige. “Ai i mori të gjitha nën krahun e tij, por nuk i shikoi nga lart me mendjemadhësi. Përkundrazi, ai u bë adhurues i tyre”./Katror.info