OpenAI, kompania që qëndron pas ChatGPT, do të ishte e interesuar të blinte Chrome – shfletuesin më të përdorur në botë – nëse Google do të detyrohej ta shiste.
Nick Turley, një drejtues në kompaninë e inteligjencës artificiale (AI), dëshmoi në emër të qeverisë amerikane në një proces gjyqësor për monopolin që po zhvillohet kundër Google-it, shkruan BBC, përcjell Katror.info.
Shtetet e Bashkuara kërkojnë shpërbërjen e gjigantit të teknologjisë, duke argumentuar se ka një dominim të tepruar në tregun e kërkimeve online.
Por Google ka deklaruar se Chrome nuk është për shitje dhe ka kërkuar hedhjen poshtë të padisë për antimonopol. Sipas kompanisë së analizave Similarweb, rreth 64% e përdoruesve të internetit përdorin Chrome.
Shfletuesi i dytë më i përdorur është Safari i Apple, që përdoret nga 21% e njerëzve.
Turley dëshmoi në gjykatë në Uashington DC, në një nga proceset e shumta që Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së ka nisur kundër dominimit të kompanive të mëdha teknologjike në rrjetet sociale, kërkimin online dhe inteligjencën artificiale.
Vitin e kaluar, gjykata vendosi se Google ka një monopol në kërkimin online, ndërsa javën e kaluar u shpall fajtore për monopol të paligjshëm në teknologjinë e reklamave online.
Google ka paralajmëruar se do t’i apelojë të dyja vendimet.
Drejtoresha e çështjeve rregullatore në Google, Lee-Anne Mulholland, shkroi në një blog se propozimet e qeverisë “do të dëmtonin konsumatorët amerikanë, ekonominë dhe udhëheqësinë teknologjike të vendit”.
Dominimi i Google-it
Procesi aktual ka për qëllim të gjejë masa që do të kufizonin dominimin e Google në kërkimin online, veçanërisht tani që shërbimet e reja të inteligjencës artificiale si ChatGPT kanë zgjeruar tregun.
Modelet e reja të AI kërkojnë në internet për të përmirësuar rezultatet dhe për të reduktuar fenomenin e “halucinimeve”, që ka qenë problem për zhvilluesit që nga përhapja e chatbot-ëve.
Sipas dëshmisë së Turley, vitin e kaluar OpenAI kishte ofruar një marrëveshje për të integruar rezultatet e kërkimit të Google në ChatGPT – por oferta u refuzua.
“Ne nuk kemi asnjë partneritet me Google për momentin,” tha Turley, sipas agjencisë Reuters.
Megjithatë, OpenAI ka një partneritet me Microsoft, i cili zhvillon motorin e kërkimit Bing dhe shfletuesin Edge.
Ndërkohë, Google ka zhvilluar një grup të vetin të produkteve të inteligjencës artificiale gjenerative, si Gemini – një konkurrent i drejtpërdrejtë i ChatGPT.
Procesi gjyqësor pritet të zgjasë tri javë, ndërsa gjigantë të tjerë teknologjikë si Meta, Amazon dhe Apple po e ndjekin nga afër, pasi edhe ata përballen me padi të ngjashme për monopole nga Departamenti i Drejtësisë.
Ndërkohë, disa raportime të fundit sugjerojnë se OpenAI po shqyrton mundësinë e krijimit të një rrjeti të vetin social.
Sipas “The Verge”, projekti është “në fazat e hershme”, por kompania dhe drejtuesi i saj, Sam Altman, kanë kërkuar privatisht mendime për një platformë që mund të rivalizojë X-in.
Sam Altman dhe Elon Musk – që aktualisht drejton X – kanë qenë më parë partnerë biznesi, por u ndanë me përplasje të ashpra disa vite më parë për drejtimin e OpenAI.
X ka krijuar një mjet të vetin AI të quajtur Grok, të cilin tashmë e ka integruar në platformën e vet sociale./BBC/Katror.info