Nuk ka ndjenjë më të mirë sesa të rezervosh një pushim të merituar. Hulumtimet tregojnë se vetëm planifikimi i një udhëtimi apo zgjedhja e një hoteli mund të rrisë nivelet e dopaminës, shumë përpara se të ngjitesh në avion. Udhëtimi e thyen rutinën e përditshme, duke e bërë jetën të duket më e gjatë, më e pasur dhe më e plotë. Por pyetja mbetet: kur është koha më e mirë për të fluturuar?
Fluturimet shumë herët mund të të lodhin; ato shumë vonë të privojnë nga koha e pushimit. Fundjavat janë zakonisht më të shtrenjta, ndërsa ditët e javës prishin ditët e punës. Për ta bërë më të lehtë vendimin, ekspertët e udhëtimit ndanë këshillat e tyre për kohët më të mira për të fluturuar — nga oraret ditore deri tek muajt më të favorshëm të vitit.
Koha më e mirë e ditës për të fluturuar
Fluturimet e hershme në mëngjes ofrojnë shumë avantazhe: shmang trafikun, radhët e gjata në siguri dhe vonesat e zakonshme.
Mëngjesi është momenti më i mirë për fluturime afatshkurtra, sepse avionët janë më të saktë me oraret në fluturimet e para.
Sa më vonë të fluturosh, aq më shumë gjasa ka që avioni të jetë vonuar nga fluturime të mëparshme.
Edhe pse zgjimi herët është i lodhshëm, fluturimi në orët e para të lejon të përfitosh më shumë nga dita.
Ndërsa për distanca të gjata, fluturimet gjatë natës ndihmojnë në përshtatjen me orën lokale dhe ruajtjen e gjumit.
Dita më e mirë e javës për të fluturuar
Dita më e mirë për të fluturuar është zakonisht e marta ose e mërkura, sepse çmimet janë më të ulëta dhe ka më pak vonesa.
Edhe e shtuna mund të jetë një zgjedhje e mirë për çmime më të favorshme. Këto ditë të mes javës kanë kërkesë më të ulët, që do të thotë më pak udhëtarë biznesi dhe më pak familje në udhëtim — prandaj edhe biletat janë më të lira.
Megjithatë, faktori më i rëndësishëm është fleksibiliteti i datave të udhëtimit, pasi tarifat ajrore ndryshojnë vazhdimisht. Kontrollimi i faqeve për krahasim fluturimesh (si Skyscanner, Google Flights apo Kayak) ndihmon për të gjetur ofertat më të mira në kohë reale.
Shmang të dielat dhe të hënat, pasi zakonisht janë ditët më të shtrenjta për nisje për shkak të fluksit të udhëtarëve që kthehen ose nisen për javën e punës.
Muaji më i mirë i vitit për të fluturuar
Muajt më të mirë për të fluturuar janë fundi i shtatorit, tetori dhe shkurti, periudha që ofrojnë çmime më të ulëta, më pak udhëtarë dhe kushte më të qeta për udhëtim.
Fundi i shtatorit dhe tetori janë veçanërisht të përshtatshëm për udhëtime brenda Evropës dhe në destinacionet mesdhetare, pasi moti mbetet ende i ngrohtë, por sezoni turistik veror ka përfunduar. Kjo do të thotë më pak turma, akomodime më të lira dhe një përvojë udhëtimi më autentike. Nga ana tjetër, shkurti është koha ideale për t’u larguar nga dimri – shumë linja ajrore ofrojnë ulje të ndjeshme në çmime, dhe në destinacionet ekzotike fillon sezoni i thatë, me diell dhe mot perfekt për pushime.
Duhet të shmangen periudhat e udhëtimeve, si festat e fundvitit dhe sezoni veror. Dhjetori dhe fillimi i janarit janë ndër muajt më të shtrenjtë për të fluturuar për shkak të kërkesës së lartë për bileta, pasi shumë njerëz udhëtojnë për festa apo për të takuar familjarët.
Nëse planifikoni një udhëtim në këtë periudhë, këshillohet që ta rezervoni pushimin disa muaj më herët, për të siguruar çmime më të mira. Po ashtu, muajt e verës, qershori dhe korriku, shënojnë rritje të ndjeshme të çmimeve dhe të fluksit të pasagjerëve, veçanërisht drejt plazheve dhe destinacioneve familjare, ku kërkesa është më e lartë se zakonisht.
Për të kursyer dhe për të udhëtuar më rehat, rekomandohet të udhëtoni jashtë sezonit turistik, ku çmimet janë më të arsyeshme dhe aeroportet më pak të mbingarkuara. Rezervimi 6–8 javë përpara udhëtimit mund të sjellë gjithashtu përfitime të dukshme në çmim. /AP/Katror.info