Sanae Takaichi, kryetarja e Partisë Liberale Demokratike në pushtet, u konfirmua të martën nga Dhoma e Ulët e Parlamentit, duke hyrë në histori si gruaja e parë që merr detyrën e kryeministres në Japoni. 64-vjeçarja siguroi 237 vota, më shumë se gjysmën e 465 vendeve të Dhomës së Përfaqësuesve.
E njohur si “Zonja e Hekurt” e Japonisë, Takaichi është një admiruese e hapur e ish-kryeministres britanike Margaret Thatcher.
Pas dy përpjekjeve të pasuksesshme më herët, ajo arriti më në fund të marrë drejtimin e qeverisë.
Pas miratimit formal që pritet nga Dhoma e Lartë, Takaichi do të betohet sonte si kryeministrja e 104-t e Japonisë, në vend të Shigeru Ishibës, që dha dorëheqjen muajin e kaluar.
Një politikane me bindje të forta konservatore, por edhe një ish-bateriste dhe fanse e grupit Iron Maiden, ajo merr drejtimin e vendit në një moment delikat: me sfida ekonomike në rritje, një skenë politike të fragmentuar dhe në prag të vizitës së Presidentit amerikan Donald Trump.
Pikëpamjet e saj të djathta kanë shkaktuar debat edhe brenda vetë partisë. Ajo ka shprehur mbështetje për ndryshimin e kushtetutës pacifiste të Japonisë dhe është kritikuar për vizitat e saj të shpeshta në një tempull lufte që përkujton edhe të dënuarit për krime gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në planin e brendshëm, qeverisja e saj përballet me sfida të shumta: rritjen e çmimeve të mallrave, ku çmimi i orizit është gati dyfishuar krahasuar me një vit më parë, si edhe me krizën demografike që po zbraz fuqinë punëtore dhe po rrit ndjeshëm numrin e të moshuarve. Përveç kësaj, ajo duhet të përballet edhe me pakënaqësinë e publikut ndaj rritjes së imigracionit dhe pasojave të politikave tregtare të administratës Trump që kanë goditur ekonomitë aziatike./TiranaPost/Katror.info