Ka shumë pak albume rock më të njohur sesa Led Zeppelin IV, dhe ka një arsye të mirë për këtë. Është Led Zeppelin në formën e tyre më ambicioze, duke testuar kufijtë e tingullit të tyre barok, folk, hard rok dhe blues, dhe duke shtresuar perimetrin me detaje të ndërlikuara, ndërsa refuzon të rishikojë dhe të ecë mbi të njëjtin terren dy herë.
Albumi ishte i pazakonshëm në shumë aspekte. Ai nuk ka emër, prandaj sot i referohen si Led Zeppelin IV. Atlantic Records ishte në panik kur zbuluan se albumi nuk do të kishte asnjë emër, dhe kurrfarë reference në kopertinë. Ata u përpoqën të bindin grupin se ata po “bënin vetëvrasje profesionale”, por zgjedhja e tyre ishte përfundimtare. Ata donin t’i tregonin botës se Led Zeppelin ishte më shumë se një trend.
Grupi vendosi që çdo anëtar të zgjidhte një emblemë personale për referenca në kopertinën e brendshme. Jimmy Page kitaristi projektoi simbolin e tij dhe kurrë nuk ka zbuluar publikisht ndonjë arsyetim pas tij. Është argumentuar se simboli i tij u shfaq qysh në vitin 1557 për të përfaqësuar Saturnin. Simboli nganjëherë referohet si “ZoSo”, megjithëse Page ka shpjeguar se në fakt nuk kishte për qëllim të ishte fare një fjalë.
John Paul Jones, bas kitaristi i grupit simbolin e tij e zgjodhi nga libri i shenjave të Rudolf Koch, është një rreth i vetëm që kryqëzon tre peshq (një triquetra). Ai synon të simbolizojë një person që posedon besim dhe kompetencë. Simboli i bateristit John Bonham, përmban tri unaza të ndërlidhura dhe u zgjodh nga ai nga i njëjti libër, ai përfaqëson treshen e nënës, babait dhe fëmijës. Simboli i vokalistit Rober Plant ishte pendë brenda një rrethi dhe ishte dizajni i tij, duke u bazuar në shenjën e qytetërimit të supozuar Mu. Një simbol i pestë, më i vogël i zgjedhur nga vokalistja e ftuar Sandy Denny përfaqëson kontributin e saj në këngën “The Battle of Evermore”, figura, e përbërë nga tre trekëndësha barabrinjës, duke shërbyer si një yll.
Led Zeppelin, nuk kishte asnjë fazë kërkimi shpirtëror, asnjë fazë të pavendosur, ndërsa ata e dinin se çfarë lloj grupi donin të ishin dhe çfarë tingujsh donin të prodhonin, ishin plotësisht të formuar dhe të përgatitur, që nga tingulli i parë. Ata prodhuan një mori regjistrimesh duke “shkatërruar” çdo gjë në rrugën e tyre drejt statusit legjendar. Ky ishte një grup që e dinte saktësisht se çfarë donte të ishte dhe e ekzekutoi atë me saktësi të pamëshirshme deri në vdekjen e bateristit John Bonham. Jimmy Page në kitarë, John Paul Jones në bas dhe multi instrumentalist, John Bonham në bateri dhe Robert Plant me vokale, nuk ishin vetëm muzikantë, ata ishin zanatlinj në instrumentet e tyre, dhe qasja e realizimit të albumit ishte qasje e një zanatliu, pra me dashuri, përkushtim dhe xhelozi, deri te gravimi më i detajuar ashtu si filigranisti e punon filigranin e vet. Gjatë xhirimeve gati se nuk është përdorur kurrfarë teknologjie.
Albumi hapet me një shpërthim energjik blues ndër më të pazakonshmet në muzikën rock “Black Dog” (Qeni i zi), një impuls seksual i blues rock-ut të zhveshur në thelbin e tij. Një thirrje dhe përgjigje mes vokaleve të Plant-it dhe kitarës së serpentinës Jimmy Page dhe seksionit me ritëm të ngushtë i basistit John Paul Jones dhe bateristi John Bonham. Nuk ka pasur më herët e as më vonë një frazë hyrëse në album më të madhe, sesa vajtimi joshës i vokalistit Robert Plant në “Black Dog. Kënga u emërtua pas një qeni endacak që bridhte rreth studios Headley Grange ku ata realizonin albumin dhe nuk ka të bëjë asgjë me përmbajtjen e këngës.
John Bonham ishte një baterist legjendar dhe “Black Dog” është vetëm një shembull tjetër i nënshkrimeve më të ndërlikuara të kohës që përdoren nga grupi, mbështetur nga teknika mbresëlënëse e Bonham. Kitarat e Jimmy Page luajnë me një firmë të vetme, ndërsa bateritë e John Bonham luajnë me një firmë krejtësisht të ndryshme. Basi i John Paul Jones i ndërlidh këta të dy ndërsa Robert Plant me vokalet e larta bluesi dhe vajtues në mënyrë agresive i udhëheq të gjitha elementet e këngës. Po tingëllon kaotike, por megjithatë, ky kombinim i shkëlqyer i tempos funksionon njëjtë si simfonitë më precize në historinë e muzikës.
Ka edhe rok klasikë në këtë album, si kënga “Rock and Roll”, tërheqëse, e cila huazon shumë nga tingulli i zhanrit në vitet e tij të arta në vitet 1950. Përderisa kjo këngë mund të ishte përshtatur në mënyrë të përkryer në një set live nga Little Richard, Led Zeppelin e vendos atë në funksion më të mirë të mundshëm në kontekstin e albumit, veçanërisht pas hapjes masive me “Black Dog”. Për më tepër, vokalet e larta të Robert Plant i bëjnë këto këngë shumë të vlefshme dhe unike, deri atëherë në blues dhe rock’n’roll nuk ka qenë fort e zakonshme të këndohet në diapazone aq të larta të vokaleve e sidomos falceto. Plant përdor një kombinim të nazalizimit dhe ngjeshjes së akordeve në vokale për të bërë akrobacitë e tij në vokale të jashtëzakonshme, me fleksibilitet dhe shkathtësi të jashtëzakonshme lirike.
Albumi ka një ndjenjë të madhe drame, e cila thellohet vetëm nga obsesioni në rritje i Robert Plant me mitologjinë, fenë dhe okultizmin. Misticizmi i Plant shfaqet në sipërfaqe në folk baladën “The Battle of Evermore” (Beteje e përgjithmonshme), një këngë e drejtuar nga mandolina dhe me vokale në duet me fenomenalen Sandy Denny.
E megjithatë, xhevahiri i kurorës së albumit është “Stairway to Heaven” (Shkallët për në qiell). Përbindëshi shumëfazor i rok-ut një katalizator i famshëm për krijimin e kitarës me firmë dykatëshe të kitaristit Jimi Page në koncerte, pasi luajtja e saj ishte e vetmja gjë që ai mund ta bënte të gjithë këngën pa pasur nevojë të ndërronte kitarat.
“Stairway to Heaven” është momenti imponues, emocional, përvojë shpirtërore, sidomos pas një hapjeje kaq të fuqishme të albumit me “Black Dog”. Një moment kaq i fuqishëm në album, pasi mbetet të jetë një nga këngët më të mëdha të realizuara ndonjëherë në disa zhanre, rock progresiv, hard rok, dhe folk me elemente klasike.
E bashkuar nga disa pjesë instrumentale, të shkruara në disa kitara me 6 dhe 12 tela, kënga “Stairway to Heaven” do të vazhdonte të ishte kënga më e famshme e grupit. Kënga tërheq krahasime lirike nga folklori i Uellsit dhe ndikim muzikor nga një sërë fushash. Në varësi të pjesës së këngës, ka tre seksione të dallueshme që enden pa mundim në njëra-tjetrën. Akustika e zgjedhur me kitarat e Jimmy Page shoqërohet nga sint – flauta të luajtura nga basisti dhe tastieristi John Paul Jones. Pas disa vargjesh poetike, kënga depërton në pjesën e dytë, një madrigal barok i luajtur në kitarë 12 telash.
John Bonham dikur pas gjysmës së këngës bën hyrjen e tij me bateri duke shtuar elementin ritmik që thyen përfundimisht tensionin dhe dramën. Finalja është një kreshendo e rëndë, elektrike me kitara të mbidubluara dhe njërën ndër solot më signifikuese në kitarë që i hapë rrugë vokaleve madhështore të Robert Plant, duke e çuar këngën në lartësi, para se të zbret në epilog i cili më në funde lejon dëgjuesin të shtensionohet në dëgjimin e pjesës tjetër të albumit.
Në këngën “Misty Mountain Hop” (Ngjitja në kodrën e mjegullt) Plant këndon për trajtimin e përplasjes mes studentëve dhe policisë për posedimin e drogës. Titulli vjen nga libri “The Hobbit” i J. R. R. Tolkien.
“Four Sticks” (Katër shkopinjë) hapet me rifë të shokuar të kitarave të Jimmy Page përpara se të kalojë në një pasazh akustik që është plotësuar me sintetizuesin ende eksperimental VCS3 të John Paul Jones. “Going To California” (Vajtja në Kaliforni) është një hipie aventurë akustike, e shkruar nga Page dhe Plant për tërmetet në Kaliforni dhe përpjekjen për të gjetur gruan e përsosur atje. Muzika u frymëzua nga Joni Mitchell, fans i të cilit ishin edhe Plant dhe Page.
“When the Levee Breaks” (Kur Levi Pushon) vjen nga një këngë blues burimorë nga Memphis Minnie dhe Kansas Joe McCoy nga viti 1929. Kënga hapet me bateritë e rënda të Bonham, të cilat u inçizuan në hollin e Headley Grange duke përdorur dy mikrofona Beyerdynamic M 160 të cilat ishin të varura në plafonin e shkallëve të hollit, inçizimi nga këta mikrofonë kaloi në një kufizues, dhe në një njësi e efekteve të vonesës. Vendndodhjet e pazakonta rreth hollit dhanë ambientin ideal për tingullin e baterive. Kjo hyrje u përdor më vonë gjerësisht për muzikën hip hop në vitet 1980.
Kopertina e albumit është një vepër artistike në vete, më 2010 ishte zgjedhur nga Royal Mail për një grup pullash postare “Clasic Album Cover”.
Fotografia nga fundi i shekullit 19 të e një plaku që mbante një tufë shkopinjsh në shpinë në pjesën e përparme të albumit u ble në një dyqan antike në Reading, Berkshire nga Robert Plant. Hulumtimet në vitin 2023 sugjerojnë se figura e përkulur është Lot Long (ose Lot Longyear, 1823–1893), nga Mere, Wiltshire dhe se imazhi, i cili më parë ishte përshkruar si një pikturë vaji, është një fotografi bardh e zi që daton në 1892 e cila kishte qenë e ngjyrosur me dorë. Fotografia është bërë nga Ernest Howard Farmer, themeluesi i parë i shkollës së fotografisë në Regent Street Polytechnic.
Blloku i banesave që shihet në anën e prapme të kopertinës është Salisbury Tower në lagjen Ladywood të Birminghamit. Jimmy Page ka shpjeguar se kopertina e albumit kishte për qëllim të nxirrte një dikotomi qytet, fshat dhe një kujtesë se njerëzit duhet të kujdeseshin për tokën.
Ilustrimi i brendshëm, i titulluar “The Hermit” (Vetmitari), i pikturuar nga Barrington Coleby, piktura është referuar edhe si “Pamje në gjysmë dritë. Shkronjat e tekstit të këngës “Stairway to Heaven”, të printuar në pjesën e brendshme të albumit, ishte kontributi i Page. Ai atë format të shkronjave gjeti në një revistë të vjetër Arts and Crafts që daton nga fundi i shekullit të 19-të. Ai mendoi se shkronjat ishin interesante dhe organizoi që dikush të krijonte një alfabet të tërë.
Albumi është shitur në 37 milionë kopje, dhe është i ranguar si njëri nga albumet më të rëndësishëm në shumë lista të zhanreve të ndryshëm.
Led Zeppelin IV ka vendosur shumë standarde, ka dëshmuar që Hard Rock mund të bëhet edhe me art, blues mund të këndohet edhe nga këngëtarët e bardhë me vokale eksperimentale për atë zhanër. Janë një grumbull i vokalistëve që me dekada e kanë huazuar stilin e këndimit të Robert Plant, por shumica kanë përfunduar në imitim të dobët. Mjafton të dëgjoni Geddy Lee Weinrib nga grupi Rush, David Coverdale nga Deep Puple dhe Whitesnake, Axel Rose nga Gun,S,Roses, Samy Hagar nga Van Halen, dhe shumë të tjerë.
Por, në dhjetor 2012, Robert Plant, Jimmy Page dhe John Paul Jones u ftuan në Shtëpinë e Operas Kennedy Center në Uashington, D.C për të marrë çmimin e nderit për kontribut në kulturë dhe muzikë nga Presidenti Barack Obama dhe këtu ndodh njëri nga momentet më emocionues në historinë e muzikës në Amerikë. Gjatë ceremonisë, motrat Ann dhe Nancy Wilson nga Heart performuan një interpretim emocional të “Stairway to Heaven” ndërsa shoqëroheshin nga Jason Bonham në bateri, i biri i John Bonham të ndjerë, të rrethuar nga një orkestër dhe një kor masiv me kapela bowler në shenjë përkujtimi të John Bonham.
Performanca befasuese e Heart solli në mënyrë të famshme lot në sytë e Robert Plant dhe u prit me një ovacion të vazhdueshëm nga publiku i Shtëpisë së Operas Kennedy Center. Robert Plant e ka përshëndetur versionin live të Heart të ‘Stairway to Heaven’ si “madhështor”, “spektakular” dhe një “moment të vërtetë për të cilin nuk ishim të denjë”, me modesti kishte thënë ai.
Duke shpjeguar se “Stairway to Heaven” është një këngë kaq e madhe sa që e ka “jetën e vet”, ai thotë: “Kënga filloi si intime, vulnerabile dhe e sinqertë, dhe me vite ajo më nuk ishte e jona, dhe as nuk duhet të jetë.”/Katror.info