Në një garë shumë të fortë ndërkombëtare me kitarë, ku moren pjesë kandidatë nga: SHBA-ja, Kosova, Polonia, Rumania, Meksika, Bullgaria, Indonezia, Gjermania, Tajlanda, India dhe Kina, Ledion Halitaj fitoi Çmimin e Parë në Kategorinë I.
Vlen të theksohet se me suksesin e arritur në Marku Guitar Competition, Ledioni e përmbylli dhjetemujorin e këtij viti me 5 çmime të para në kategorinë e tij.
Kujtojmë se Ledioni me performancat e tij ka fituar 18 çmime të ndara nga juritë profesionale dhe katër çmime të publikut në shtete të ndryshme.
Muaj më parë ai mori pjesë në tri festivale të rëndësishme: në Ohër, Shkodër dhe Prishtinë, ku në të tria ka zënë vendin e parë në kategorinë e tij.
Gjithashtu, kujtojmë se në një ceremoni mbajtur në Bibliotekën Universitare, atij i ndarë dhe çmimi “Evropiani i Vitit”.
Nga 5 personalitete të nominuara për çmimin “Evropiani i Vitit”, fitues me votat e qytetarëve që kanë pasur mundësi të votojnë me “like” në faqen e Zyrës së BE-së, u shpall 11-vjeçari Ledion Halitaj.
Kitaristit të ri, i cili tashmë ka fituar edhe në gara ndërkombëtare, çmimin ia ndau ambasadori i BE-së, Tomas Szunyog.
Halitaj tha se është i lumtur për çmimin, për te cilin tha se do të jetë një shtytje edhe më shumë në arritjen e suksesit.
“Jam shumë lumtur që e fitova këtë çmim. Ky çmim do të më ndihmojë që të arrij edhe suksese të tjera. Dua ta falënderoj edhe familjen time si dhe mësuesin tim që më mëson të luaj me kitare”, tha Ledion Halitaj./Katror.info