Atletja shqiptare Luiza Gega do të garojë në mbrëmjen e së mërkurës në garën e 3 mijë metrave me pengesa në kampionatin botëror të Atletikës.
Sportistja shqiptare nis konkurimin nga bateria e tretë. Kampionia e Europës ka pasur një shqetësim në muskulin e këmbës së majtë, por është përgatitur me kujdes për performancën e radhës.
Pavarësisht rivalitetit dhe gjendjes jo optimale, rekordmenia shqiptare do të kërkojë që të sigurojë një vend për në finale, në garën që nis në orën 20:23 të së mërkurës.
Në orën 12:50 të së mërkurës do të garojë edhe atleti shqiptar Franko Burraj. 25 vjeçari është në baterinë e parë në garën 200 metra për meshkuj, ku do të kërkojë kualifikiminn për në gjysmëfinale.
Nga data 19 gusht ka nisur në Budapest Kampionati Botëror i Atletikës, ku konkurrojnë mbi 2000 atletë nga 202 shtete. Eventi përfundon më datën 27 gusht.
Botërori po organizohet në impiantin e ngritur posaçërisht, që ka një kapacitet prej 30 mijë vendesh./Katror.info