Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur sot në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneralmajor Enrico Barduani, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet aktuale në fushën e sigurisë, si në aspektin regjional ashtu edhe në atë global, shkruan Katror.info
Në fokus të takimit ishte vlerësimi i ushtrimit të përbashkët ndërinstitucional “Golden Sabre 25”, i zhvilluar mes Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), KFOR-it dhe Policisë së Kosovës. Ministri Maqedonci e cilësoi këtë ushtrim si një shembull të suksesshëm të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të sigurisë, i cili ka kontribuar në thellimin e partneritetit dhe rritjen e kapaciteteve të përbashkëta operacionale.
“Pjesëmarrja e FSK-së në këtë ushtrim të rëndësishëm të organizuar nga NATO përbën një hap të rëndësishëm drejt përforcimit të sigurisë dhe ndërveprueshmërisë mes institucioneve tona”, u shpreh ministri Maqedonci.
Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin dhe koordinimin me KFOR-in për të adresuar çështjet me interes të përbashkët në dritën e zhvillimeve të fundit në mjedisin e sigurisë./Katror.info