Detarët e një aeroplanmbajtëse amerikane të premten e kaluar shpëtuan dy detarë civilë iranianë në ujëra ndërkombëtare, tha ushtria amerikane përmes një deklarate të enjten.
“Grupi Sulmues Theodore Roosevelt shpëtoi dy detarë në ankth në zonën e operacioneve të Komandës Qendrore të ShBA-së” – tha kjo komandë, raporton agjencia “Reuters”.
Dy grupe sulmuese me aeroplanmbajtëse – “USS Theodore Roosevelt” dhe “USS Abraham Lincoln” – ndodheshin në Lindje të Mesme. Grupi Sulmues “Theodore Roosevelt” ishte duke kryer operacionale rutinore në zonën e operimit të Komandës Qendrore.
“Ndihma për detarët në ankth është mision për të cilin grupi ynë sulmues gjithmonë do të qëndrojë i gatshëm për ta mbështetur. Është gjëja e duhur për t’u bërë dhe kjo dëshmon më tej se Marina e ShBA-së është forcë e gatshme, kur i bëhet thirrje” – thuhet më tej në deklaratë.
Tensionet në Lindje të Mesme kanë qenë të larta muajve të fundit, pasi ka pasur frikë për mundësinë që lufta e Izraelit në Gaza të zgjerohet dhe të shndërrohet në konflikt më të gjerë.
Shtetet e Bashkuara mbajnë dy grupe sulmuese me aeroplanmbajtëse në Lindje të Mesme si dhe një skuadron shtesë të aeroplanëve luftarakë të tipit F-22 për ta ndihmuar mbrojtjen e Izraelit.
ShBA-ja dhe Irani kanë raporte armiqësore. ShBA-ja është aleate e Izraelit, ndërsa Teherani i mbështet Hamasin, që po luftohet nga ushtria izraelite në Gaza, dhe grupin libanez, Hezbollah, që vazhdimisht kryen sulme me raketa drejt Izraelit./Katror.info