Federata e Basketbollit të Kosovës ka njoftuar se për herë të parë në vendin tonë është mbajtur takimi i Komisionit të të Rinjve të FIBA Evropës (FIBA Europe Youth Commission).
Takimi është mbajtur në kryeqytetin e Kosovës ku kanë marrë pjesë edhe Presidenti u FIBA Evropës, Jorge Garbajosa, derisa nënkryetar i këtij Komisioni është Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu.
“Kjo është një mbledhje vjetore me rëndësi vendimmarrëse – Anëtarët e komisionit, përfaqësues nga vende të ndryshme evropiane, takohen çdo vit për të diskutuar projekte të reja, garat ndërkombëtare dhe zhvillimin e trajnerëve e lojtarëve të rinj”, thuhet në njoftimin e FBK-së.
“Është hera e parë që një Komision i FIBA Evropës mblidhet në vendin tonë, çka tregon besimin dhe vlerësimin që shtëpia e basketbollit botëror ka ndaj nesh”, është shprehur Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, Kryetar i Federatës të Basketbollit të Kosovës.
FBK ka njoftuar se ky organizim i mbledhjes së këtij Komisioni, por edhe FIBA Europe U14 Get Together në vendin tonë, tregon për besimin që ka shtëpia e basketbollit botëror ndaj Federatës së Basketbollit të Kosovës. /Katror.info