Në një konferencë të organizuar nga Democracy for Development (D4D), u prezantuan dhe u diskutuan gjetjet kryesore të raportit “Monitorimi i dezinformimit gjinor dhe gjuhës mizogjene online”, që përfshinë një periudhë gjashtëmujore të analizës së përmbajtjeve digjitale dhe mediatike në Kosovë, shkruan Katror.info.
Sipas raportit, figura të grave në politikë shpeshherë bëhen cak i sulmeve verbale në internet, ku përdoren terma si “hajdute”, “rrugaçe” apo “analfabete”, me qëllim delegjitimimin e tyre në hapësirën publike. U theksua gjithashtu se pabarazia gjinore është e pranishme jo vetëm në rrjetet sociale dhe portalet online, por edhe në debatet televizive, ku gratë shpeshherë ndërpriten dhe trajtohen në mënyrë të pabarabartë krahasuar me burrat.
Paneli u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt rritjes së vetëdijes dhe angazhimit për ndërtimin e një diskursi mediatik më gjithëpërfshirës, etik dhe të drejtë ndaj grave.
Ky event u mbështet nga projekti “Mbështetje për shoqërinë civile në Kosovë”, i financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe implementuar nga LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor./Katror.info