Mbi 20 mijë konsumatorë janë të kyçur në rrjetin e ngrohtores së qytetit deri më tani. Ndërsa sivjet këtij numri i janë shtuar edhe dy lagje të tjera, të cilat do të përfshihen në rrjetin ngrohës për herë të parë.
Afërdita Uka – Fejzullahu, zëdhënëse në Termokos, ka treguar për Katror Media, se sa është numri i objekteve që për herë të parë do të ngrohen nga ngrohtorja e qytetit.
“Këtë sezon ngrohës po fillon furnizimi për herë të parë më ngrohje për një pjesë të ndërtimeve kolektive, 39 objekte banesore në lagjen “Arbëria” dhe 63 objekte banesore në lagjen në afërsi të Parkut të Qytetit. Këto janë dy lagjet që po fillojnë për herë të parë me ngrohje nga ky sezon ngrohës”.
E numri i qytetarëve të këtyre dy lagjeve që do të përfshihen në rrjetin e ngrohtores së qytetit, do të jetë rreth 40 mijë, por që siç thotë Uka – Fejzullahu për shkak të sigurisë së operimit, kyçja e tyre është duke u bërë në mënyrë graduale.
“Ne deri më tani kemi furnizuar me ngrohje mbi 20 mijë konsumatorë, ndërsa sa i përket projektit mbi zgjerimin dhe rehabilitimin e ngrohjes i cili është në proces të realizimit na ndajnë pak muaj nga përfundimi i tij. Ne do të fillojmë furnizimin me ngrohje për 8900 konsumatorë të rinj, pra përafërsisht sipas një llogarie 40 mijë qytetarë të rinj të Prishtinës do të kyçen në ngrohje. Kyçja e tyre është duke u bërë në mënyrë graduale pasi tashmë është shtrirë rrjeti i ngrohjes, janë instaluar nënstacionet e ngrohjes, por për arsye të sigurisë së operimit, ne jemi duke i kyçur gradualisht disa objekte banesore në lagjen “Arbëria” dhe disa në lagjen prapa “Hotel Siriusit, apo në afërsi të parkut të qytetit”, thotë ajo.

Se a kanë përfunduar punimet për këtë vit apo po vazhdojnë ende, zëdhënësja thotë se kanë mbetur edhe disa detaje të përfundohen, deri në afatin e realizimit të projektit, që është deri në janar të vitit që po vjen.
“Shtrirja e rrjetit ka përfunduar, ndërsa instalimi i nënstacioneve pjesa më e madhe e tyre është realizuar, ka mbetur vetëm edhe ndonjë element i vogël aty-këtu, ndonjë kyçje në rrjetin e energjisë elektrike, krijimi i parakushteve për funksionimin të ngrohjes, siguria e tyre, pra izolimi i tyre, kanë mbetur disa detaje për t’u realizuar i gjithë projekti. Afati i realizimit të këtij projekti në total është deri në fund të janarit të vitit të ardhshëm”, shpjegon ajo.
Ndërsa, rrjeti ngrohës i ngrohtores së qytetit po zgjerohet. Afërdita Uka – Fejzullahu tregon që në realizim e sipër janë edhe dy projekte të tjera, ku do të përfshihet një pjesë e lagjes “Tophane” dhe banesat kolektive në lagjen “Arbëria”.

“Ne jemi në hapat e parë të realizimit të projekteve të tjera kapitale si është projekti Solar for Kosovo do të bëhet sigurimi i ngrohjes për një pjesë të ndërtimeve kolektive të lagjes Arbëria dhe për një pjesë të ndërtimeve të lagjes Tophane, ndërsa me projektin për dyfishim e kapaciteteve do të zgjerohet rrjeti i ngrohjes në bazë të master planit, i cili është hartuar nga ekspertë gjermanë dhe janë përcaktuar në mënyrë specifike kahjet e zgjerimit të ngrohjes nëpër lagje të ndryshme të qytetit të Prishtinës, gjithmonë në afërsi të rrjetit tonë ekzistues të ngrohjes,” shprehet Uka Fejzullahu.
Për të ndihmuar në shpërndarjen e energjisë termike te qytetarët e tjerë të Prishtinës, të cilët nuk janë ende të kyçur në rrjetin e ngrohtores së qytetit, Termokos që nga korriku i vitit të kaluar, ka filluar t’i shpërndajë pajisjet për vendosjen në radiatorët e qytetarëve. Kjo do të mundësojë që në mënyrë automatike të bëhet rregullimi i temperaturave nëpër banesa, pa pasur nevojë që të hapen dritaret kur bëhet shumë nxehtë, ashtu siç është vepruar deri më tani. Por Ukaj – Fejzullahu tregon se si kjo nismë është parë me dyshim nga 5000 qytetarë, të cilët nuk i kanë vendosur ende njehsorët.
“Që nga korriku i vitit të kaluar kur ka filluar furnizimi me pajisje në kuadër të projektit “Prishtina Heat Save”, i cili është realizuar falë një fondacioni të ndarë nga qeveria amerikane në vlerë të 8 milionë dollarëve përmes MCC dhe e realizuar nga MFK-ja këtu në Prishtinë janë instaluar pajisjet tek 15 mijë konsumatorë. Mirëpo, fillimisht ky projekt është përcjellë me një hezitim nga konsumatorët tanë.”

“Nuk është pranuar ashtu siç është pritur dhe ashtu siç është synuar pasi kanë pasur një lloj konfuzioni, për arsyet e realizimit të këtij projekti, sado që ne kemi pasur një fushatë intensive, e cila në ndërkohë na ka ndihmuar që t’i bindim konsumatorët se ky projekt para së gjithash është për të mirën e tyre, ngase përmes këtyre pajisjeve ata do të kenë mundësi që paraprakisht që të rregullojnë temperaturën nëpër ambientet e tyre të brendshme banesore dhe kjo do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në kursimin, në uljen e shpenzimit të tyre për ngrohje, ndërsa me atë energji termike, e cila do të kursehet ne do të arrijmë që atë energji termike ta shpërndajmë te konsumatorët tjerë të rinj të cilët nuk janë aktualisht të kqyçur në rrjetin e ngrohjes.”
Megjithatë kjo është një fazë vetëm testuese, sepse Afërdita Uka – Fejzullahu thotë që, krahas faturimit në bazë të sipërfaqes ngrohëse, Termokos është duke bërë edhe kalkulimin sipas konsumit, në mënyrë që të shihet sesa po arrijnë qytetarët ta kursejnë energjinë termike përmes këtyre pajisjeve.
Zalbona, banore në lagjen “Bregu i Diellit” është njëra nga banorët që nuk ka ngurruar t’i vendosë njehsorët në radiatorët e banesës së saj. Ajo për Katror Media thotë se e gjithë kjo është në të mirën e saj.
“Jo nuk kemi ngurru, se është mënyrë shumë e mirë për kursim. Nëse është radiatori i nxehtë edhe koha e butë, ke mundësi më i ndalë edhe nuk pagun nxemje ma tepër, po pagun qaq sa harxhon”.
Ndonëse, Uka-Fejzullahu shprehet që që nga vitit 2014 Termokos nuk ka pasur asnjëherë problem me kapacitetet për ngrohje, për shkak se janë 140 megaW energji termike e të cilat anjëherë nuk kanë arritur të shfrytëzohen në tërësi, Zalbona thotë se ka 3 vjet që nuk ka pasur mjaftueshëm ngrohje në banesën e saj.

“Vitin e kaluar nuk ka pasur nxemje shumë, është dashtë me u nxe edhe me ndonjë radiator ose me nxemëse, se nuk ka qenë ftohtë, por nxemje nuk ka pasë aq sa është dashtë me pasë, sikur nëpër hymjet tjera. Ky është problem i mëhershëm, nuk është vetëm vjet ose parvjet ose sivjet. Edhe pse sivjet nuk mundem me folë, sepse tash e shohim, d.m.th kur vijmë në minus sepse tash është koha hala e butë”, shprehet ajo.
Ndryshe, këto ditë Kuvendi Komunal i Prishtinës i ka ndarë 5 milionë euro për Termokosin. Me këto mjete pritet të kyçen 129 objekte të reja, ku ndër të parat do të përfitojë kazerma “Adem Jashari” pastaj kompleksi i “Banesave të bardha”, ndërtesa në “Lakrishte” e objekte të tjera. /Zoje Sadiku/Katror.info