Për herë të parë që nga anëtarësimi në UEFA, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) do të jetë mikpritëse e një mbledhje të organeve të UEFA-s.
Do të jetë Komiteti HatTrick, anëtar i të cilit është edhe presidenti i FFK, Agim Ademi që do të mbajë mbledhje në Prishtinë. Kjo mbledhje do të zhvillohet më 13 mars të vitit të ardhshëm.
Konfirmimi ka ardhur përmes një shkrese që kryetari i këtij komiteti, Karl-Erik Nilsson ia ka dërguar Ademit. “Kam kënaqësinë t’ju informoj se e pranojmë me kënaqësi dhe kemi identifikuar të enjten e 13 marsit 2025, si datën e përshtatshme për këtë mbledhje plenare”, thuhet në shkresën e Nilsson, sipas njoftimit të FFK.
Nilsson gjithashtu theksoi se mbledhjet e tilla ofrojnë një mundësi të shkëlqyer për anëtarët e Komitetit HatTrick që të dëshmojnë arritjet e vazhdueshme të projekteve të rëndësishme që janë mbështetur nga Programi i Investimeve HatTrick.
Sipas njoftimit të FFK, ky event do ta vendosë Kosovën në qendër të vëmendjes së futbollit evropian./Katror.info