Prishtina po përgatitet të mirëpresë njërën nga ngjarjet më të mëdha të sporteve elektronike në Evropë – Kampionatin Europian të Esports, i cili do të zhvillohet nga 9 deri më 13 korrik në sallën “1 Tetori”, shkruan Katror.info.
Në këtë turne prestigjioz do të marrin pjesë mbi 250 garues nga 45 shtete, të cilët do të garojnë në dy prej lojërave më të mëdha kompetitive në botë: Counter-Strike 2 (CS2) dhe Dota 2.
Kosova, për herë të parë si mikpritëse e këtij niveli të lartë të garave, do të përfaqësohet nga një ekip i përzgjedhur me kujdes nga Federata Esports Kosova, përbërë nga emra të dëshmuar në skenën ndërkombëtare.
Katër nga pesë anëtarët e ekipit të CS2 vijnë nga skuadra legjendare Bad News Eagles, e cila ka bërë histori në turnetë botërorë me paraqitje mbresëlënëse. Pjesëtari i pestë i skuadrës është një talent i ri nga NAVI Jr., akademia zyrtare e një prej organizatave më të njohura të Esports në botë./Katror.info