Fondacioni Jeshil, përfaqësuar nga Drejtori Ekzekutiv Xhevdet Gegollaj, dhe Komuna e Kamenicës, përfaqësuar nga Kryetari i Komunës Kadri Rahimaj, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për zbatimin e një projekti inovativ për trajtimin e mbetjeve organike në Kamenicë.
Ky projekt 26 mujor, ka për qëllim të mbështes ekonominë qarkore në sektorin e menaxhimit të mbeturinave dhe mbrojten e mjedisit nga ndotja.
Në kuadër të këtij projekti, në vlerë prej 700,000 eurosh, parashihet themelimi i skemës së kompostimit për Komunën e Kamenicës, përfshirë ndërtimin e impiantit, funksionalizimin e sistemit të mbledhjes, blerjen e pajisjeve industriale moderne dhe zhvillimin e fushatave ndërgjegjësuese.
Projekti është mbështetje të zbatimit të politikave për menaxhim të integruar të mbeturinave, prodhimin e komposit cilësor për gjelbërimin e qytetit, dhe reduktimin e kostove të rreth 100 përfitues nga skema (biznese në gastronomi, prodhues hortikulturor, shkolla e kopshte), si dhe hapje e vendeve të reja të punës.
“Jemi të gëzuar jashtë mase të njoftojmë publikun për nënshkrimin e një marrëveshjeje të re me Komunën e Kamenicës (përfaqësuar nga Kryetari, z. Kadri Rahimaj) për zbatimin e projektit 26 mujor ‘Menaxhimi Qarkor i Mbetjeve Organike në Kamenicë’, mbështetur nga qeveria Sllovene dhe menaxhuar nga Qendra për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar në Slloveni”, thuhet në njoftimin e Fondacionit Jeshil.
“Kjo skemë kompostimi miqësore me mjedisin, e përqendruar karshi sektorit privat, do të devijon nga deponia një pjesë të madhe të 5,700 tonëve të mbetjeve organike komunale vjetore, duke prodhuar kompost cilësor për gjelbërimin e qytetit.
Skema parasheh rreth 100 përfitues — biznese gastronomike, prodhues hortikulturorë, shkolla dhe kopshte. Përveç asaj, ky projekt do të krijojë gjithashtu vende të reja pune dhe do të promovojë barazinë gjinore”, thuhet tutje në njoftim.
Ndërkaq nga Komuna e Kamenicës kanë njoftuar se në kuadër të këtij projekti Komuna do të përfitojë menaxhim të mbeturinave organike, rreth 5,700 mbetje organike më pak nga masa e përgjithshme, prodhim i kompostit cilësor për gjelbërimin e qytetit, rreth 100 përfitues nga skema (biznese në gastronomi, prodhues hortikulturor, shkolla e kopshte), vende të reja pune, si dhe ambient i shëndetshëm dhe i pastër.
Fondacioni Jeshil është organizatë e specializuar mjedisore e cila që nga viti 2017 angazhohet në fushën e mbeturinave organike dhe kjo organizatë pionere ka zhvilluar modele inovative të ndryshme miqësore ndaj mjedisit për trajtimin e mbeturinave organive për ekonomi familjare, komuna dhe biznese./Katror.info