Në Zvicër, rinia shqiptare sot po afirmohet, duke mbushur Universitetet e Zvicrës.
Tre dekada më parë, numri i studentëve shqiptarë që studionin nëpër Universitetet e Zvicrës ishte minimal, numëroheshin me gishta dhe shumica vinin nga Shqipëria, ndërsa sot e kemi për krenari të themi se rinia shqiptare në Zvicër masivisht ndjek edukimin e lartë dhe dallohet për suksese dhe arritje.
Ata edhe pse kanë ardhur më vonë, mrekullisht janë integruar, janë zviceranë, ndërkohë nuk i harrojnë kurrë rrënjët nga vinë, shkruan The Voice of Albania.
Njëri prej tyre është Rron Mazrekaj që posa u diplomua për ekonomi me Bachelor of Arts në HSG.
HSG është akronimi i Universitetit St. Gallen.
Universiteti i St. Gallenit ( Hochschule für Wirtschafts-, Rechts- und Sozialwissenschaften sowie Internationale Beziehungen (HSG) i krijuar më 1898 ndodhet në Rosenberg, mbi një kodër të vogël, në qytetin zviceran të St. Gallen.
Krahasuar me universitetet e tjera zvicerane, Universiteti i St. Gallen është një nga më të vegjlit, por fakulteti i tij i ekonomisë është më i madhi dhe me shumë reputacion në të gjithë zonën gjermanishtfolëse. Universiteti është publik dhe varet nga kantoni St. Gallen. HSG është pjesë e AACSB dhe EQUIS, ndër të tjera, si dhe e CEMS, PIM, APSIA dhe Internationale Bodensee-Hochschule.
Universiteti i St Gallenit është një nga më prestigjiozët e Europës. Në vitin 2021 u rendit në vendin e gjashtë në rrang Europe, në Zvicër është Universiteti kryesor i biznesit, nga bangat e të cilit kanë dalë plot emra të shquar.

Pikërisht fakultetin e ekonomisë përfundoi me sukses të plotë edhe Rron Mazrekaj, i cili tani do të vijojë masterin në të njëjtin universitet./Katror.info