Përdorimi i pajisjeve efiçiente të energjisë elektrike po vlerësohet si i rëndësishëm për të pasur një sistem më të sigurt energjetik në Kosovë. Gjatë viteve të fundit, dhjetëra mijëra familje janë subvencionuar për të blerë pajisje efiçiente. Në këtë drejtim, së fundmi Bashkimi Evropian ka ndarë edhe 7.5 milionë euro për Kosovën, në kuadër të Pakos së Mbështetjes Energjetike.
Në kohën kur çmimi i energjisë elektrike është ngritur e konsumi pritet të rritet me rënien e temperaturave, investimi në pajisje efiçiente të rrymës po vlerësohet si tejet i rëndësishëm.
Për këtë, Ministria e Ekonomisë bashkë me Bashkimin Evropian disa herë kanë mbështetur qytetarët për blerjen e pajisjeve që do të ndikonin në kursimin e energjisë elektrike.
Ndërsa, së fundmi Bashkimi Evropian ka ekzekutuar 7.5 milionë euro në kuadër të Pakos së Mbështetjes Energjetike. Me këtë shumë, deri në fillim të shtatorit, do të rimbursohen rreth 1 mijë e 500 përfitues individualë dhe biznese.
Pronar të kompanive që merren me industrinë solare thonë se investimi në pajisje efiçiente, sidomos panele foltovoltaike ka ndikuar që qytetarëve të paguajnë fatura më të lira.
“Ne kemi më shumë biznese, por nuk duhet harruar asnjëherë edhe qytetarët e Kosovës ku edhe ata e familje të ndryshme investojnë shumë në sektorin e solarëve për shkak se i shohin benifitet prej panelit foltovoltaik”, tha Xhevat Muqa, pronar komanie me produkte solare.
Tutje Muqa tha se Kosova ka kushte të mira për përdorimin e energjisë solare.
“Ne kemi hapësira të mjaftueshme sa i përket rrezatimit në nivel të Kosovës. Ne plasohemi goxha lartë s ai përket rrezatimit, nëse e marrim një shembull me Gjermaninë , ata kanë më pak se ne 40% rrezatim”.
Njohës të energjetikës thonë se përdorimi i pajisjeve efiçiente për ngrohje gjatë dimrit, do të ketë ndikim pozitiv në sistemin energjetik.
“Pajisjet efiçiente nuk do të rrezikojnë furnizimin me energji elektrike për faktin se pothuajse tani janë shumë efiçiente dhe shpenzojnë më pa energji elektrike” tha Lulzim Beqiri, njohës i energjetikës, ekonomisë.
Bashkimi Evropian ka ndihmuar me 75 milionë euro sektorin energjetik në vend.
Sipas zyrës së BE-së në Kosovë, 200 mijë familje janë ndihmuar për pagesën e faturave të energjisë, janë rinovuar mbi 3600 shtëpi, 28 objekte banimi të familjeve të cenueshme janë në proces rinovimi, ndërsa mbi 40,000 familje dhe 154 biznese janë pajisur me panele solare dhe teknologji për kursimin e energjisë./RTK/Katror.info