Bordi i Bankës Botërore dje ka miratuar marrëveshjen për Financimin e Politikave Zhvillimore për Politikën Fiskale, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër mes Kosovës dhe Bankës Botërore, me një vlerë prej 90 milionë euro, përcjell Gazeta Blic.
“Kjo marrëveshje vjen si rezultat i veprimeve të realizuara të Republikës së Kosovës në forcimin e stabilitetit fiskal dhe makroekonomik, rritjen e efikasitetit të shpenzimeve publike, krijimin e një ambienti të favorshëm për investime dhe fillimin e tranzicionit drejt një ekonomie të gjelbër”, thuhet në njoftimin e Bankës Botërore.
Në njoftim thuhet se përmes marrëveshjes së re, e cila do të nënshkruhet muajin që vjen gjatë takimeve pranverore në Uashington, janë realizuar një varg veprimesh siç janë reforma ligjore në fushën e edukimit në fëmijërinë e hershme, përmirësimi i efiçiencës së energjisë, zvogëlimi i barrës administrative, rritja e investimeve të huaja direkte, dixhitalizimi dhe lehtësimi i të bërit tregti.
“Pas miratimit nga Bordi i Drejtorëve Ekzekutiv, Qeveria e Kosovës dhe Banka Botërore do të nënshkruajnë një marrëveshje për financimin e projektit që do të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës që fondet e DPL të vihen në dispozicion për disbursim për të mirën e qytetarëve të Kosovës,” thuhet tutje në njoftim.
“Vendimi i Bankës Botërore për të mbështetur Republikën e Kosovës tregon përkushtimin e Bankës për të mbështetur politikat zhvillimore në Kosovë”, thuhet në njoftim./Katror.info