Në mbledhjen e Komitetit HatTrick të UEFA-s, e mbajtur në Prishtinë, është miratuar projekti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), i cili do ta shndërrojë Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali në një stadium të kategorisë së katërt, shkruan Katror.info.
Ky projekt përfshin vendosjen e 14,000 ulëseve në stadium, duke shënuar fazën përfundimtare të kompletimit të Shtëpisë së Kombëtares së Kosovës. FFK ka siguruar mbështetje financiare për këtë investim, i cili pritet të ndikojë ndjeshëm në zhvillimin e infrastrukturës futbollistike në vend.
Gjatë mbledhjes së Komitetit HatTrick u diskutuan dhe u miratuan gjithsej 22 projekte, duke përfshirë atë të Kosovës, që është një hap i rëndësishëm për modernizimin e futbollit vendor dhe për krijimin e kushteve optimale për përfaqësueset dhe klubet kosovare./Katror.info