Nga prerjet e biftekëve te hamburgerët e pulës, mishi i rritur në laborator po tregon potencial premtues për të transformuar industrinë e mishit dhe për ta zhvendosur atë drejt një të ardhmeje më etike dhe të qëndrueshme. Një raport tregon se ky tranzicion mund të ndodhë në të vërtetë më shpejt se sa mendohej më parë, përcjell Katror.info.
Raporti, i kryer nga konsulenca holandeze CE Delft, kërkoi të projektonte sesi industria e mishit të kultivuar do të evoluojë gjatë dekadës së ardhshme, duke u fokusuar veçanërisht në krahasimin e kostove ekonomike dhe mjedisore të prodhimit konvencional dhe atij të kultivuar të viçit, shkruan The Optimist Daily.
Në atë që nuk është gjë tjetër veçse një lajm i mirë për mjedisin, raporti zbuloi se, deri në vitin 2030, kostoja për të prodhuar një kilogram hamburger të kultivuar do të bjerë në 5.66 dollarë. Në krahasim, çmimi aktual i shitjes me shumicë i 90% të mishit të grirë të lopës është 6,20 dollarë për kilogram.
Përveç që kushton shumë më pak për t’u prodhuar, mishi i kultivuar pritet të ketë edhe një gjurmë shumë më të vogël mjedisore. Analistët presin që prodhimi i mishit të rritur në laborator do të përdorë dukshëm më pak ujë, tokë dhe lëndë ushqyese sesa blegtoria tradicionale, si dhe do të lëshojë shumë më pak emetime karboni.
Raporti tregon se – duke supozuar një përdorim 30% të energjisë së gjelbër – viçi i kultivuar në vitin 2030 do të jetë rreth 90% më miqësor ndaj mjedisit se viçi konvencional, duke emetuar 93% më pak gazra serë dhe duke përdorur 95% më pak tokë për prodhimin e lëndëve ushqyese. Ndërkohë, bulmeti i rritur në laborator po rritet gjithashtu, me një numër bizneve të startup, që tashmë prodhojnë produkte qumështi shumë më të qëndrueshme.
Aktualisht, rreth 50% e tokës së banueshme në botë përdoret për bujqësi, 77% e së cilës përdoret për blegtorinë dhe prodhuesit e qumështit. Sipas Reason, duke zëvendësuar vetëm gjysmën e mishit dhe bulmetit që hamë dhe pimë globalisht me alternativa të rritura në laborator, do të çlironim një sipërfaqe toke sa përmasat e Amerikës së Veriut. /Katror.info
Përgatiti:
![](https://katror.info/wp-content/uploads/2024/02/Jetlira-Ademi-new-150x150.png)