Jemi n’pikë të verës, diaspora veç sa s’na ka ardhë, pejsazhi prej Prishtinës kah Prizreni e deri n’Tiranë veç ja nis mu djegë, jo veç prej vapës, por prej aktiviteteve që po vijnë si valë të pandalshme n’kulturë, muzikë, film, modë e letërsi. Këtë javë, po ju sjellim një përzimje përjetimesh të kurume nga na e që mundeni me i përjetu në qytet. Nëse i lëshoni, fajin mos ja leni nxehtit.
Në Prizren, Rock & Blues Festival po kthehet me zhurmë të bukur në një lokacion të pazakontë – qendra teknologjike në ish-bazën e KFOR-it gjerman. Nga Jericho te Stanley Jordan Quartet, nga Minatori te Queenmania – tri net që bashkojnë nostalgjinë dhe tingujt ndërkombëtarë. Në Prishtinë, PriBeats shtrinë natën në E.d.h.e me 12 orë muzikë që shkon prej Renzos te Jonny N Travis e deri te agimi me Lekën. E nëse të nevojitet një tjetër dimension i natës, RE:FORM Pre-Party e sheh Grand Hotelin si një tunel për zana të ardhshëm, me Christian Duka, Ivana Dragsic dhe RT.
Për ma shumë butësi e tinguj të ngrohtë, shkoni në Tuttovino, ku të enjten Erleta sjell një set veç me vinyl – pa laptop, pa algoritëm – veç tinguj të zgjedhun mirë. Ndërsa në Tiranë, një përvojë tjetër e thellë: Java Kulturore Egjiptiane që sjell vallëzime, ushqim, kinema dhe aromë të piramidave dhe lumit Nil në zemër të Ballkanit.
Filmat s’kanë me mungu – PriGlobal kthehet në e.dh.e me një seri të re të projeksioneve nën yje: Holandë, Poloni, Gjermani – gjithçka që nuk gjen në Netflix. Nëse s’din çka me veshë për krejt këto netë – Studio Barrier veç e ka përgjigjen. Me tesha që duken sikur janë dizajnume për trotuaret dhe klubet e Prishtinës, kjo studio po krijon një stil që osht njëkohësisht urban, i freskët dhe me premje precize, boll t’gjana për flladitje të trupit. E për ata që dojnë me gjetë një hobi të ri, Altin Ibrahimi pe mban një punëtori në Europe House, ku msoni qysh me pesë vizatime m’i shëndrru në tregim të plotë. Vizatimi nuk osht për fëmijë, osht për çdo njeri që ka nëj rrëfim që i sillet n’kry. E nëse preferoni t’i lexoni historitë, e jo m’i vizatu, merreni stripin “Josephine Baker” nga Catel & Bocquet. Nuk osht ky veç libër, por manifest i rezistencës, guximit dhe bukurisë pa kompromis.
Kjo është java. Merreni qysh ta doni, po mos rrini n’shtëpi. Ishmenada!
Me dëgju: Prizren Rock & Blues Festival / Prizren
Prizreni po përgatitet me mikpritë edicionin e radhës të Rock & Blues Festival, një ngjarje që frymëzohet nga fillesat e muzikës rock dhe blues në Kosovë me bende tona si Minatori, Jericho dhe Elita 5 si dhe me mysafire si Stanley Jordan Quartet, Queenmania dhe Grippin. Me një program të pasun me artistë nga skena kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare, festivali synon me ofru net të paharrushme muzike në një nga qytetet ma të bukura të Ballkanit. Festivali mbahet në qendrën teknologjike te ish baza e KFOR-it gjerman, me 11, 12 dhe 13 korrik.
Me kcy: PriBeats: Episode XXII me Jonny N Travis, Renzo & Lekë / edhe, Prishtinë

Verës i shkon muzika e mirë në hapsina nën qiell, dhe PriBeats po e bjen atmosferën verore ma s’miri. Episodi i 22-të kthehet me një maratonë 12-orëshe, dy skena, dhe atmosferë që nxehet bashkë me perëndimin që na flladit. Kjo episodë e PriBeats rikthehet në lokacionin edhe, që tashmë e ka marrë statusin e “shpisë së dytë” për Pri-family. Këtë herë, me disa nga emrat ma të njohun për publikun tonë: dyshja e mrekullueshme Jonny N Travis nga Shine On You (Torino, Itali), të cilët kthehen pas suksesit të bashkëpunimit në Milano me PLGRN në nëntor. Ata do të sjellin përsëri shpirtin italo-balearik në gadishullin ballkanik. Nga Zvicra vjen edhe Renzo, njeriu pas skenës Afterground në Lugano — një DJ dhe kurator që din me kriju atmosferë. Party nis në skenën e jashtme nga ora 18:00 deri në 23:00 me Renzo, mandej zhvendoset brenda për një udhëtim të vërtetë muzikor: Jonny N Travis nga 23:00 deri më 03:30, dhe Lekë që e mbyll me agimin nga 03:30 deri në 06:00
Me kcy: Re:Form Pre:Party / Hoteli Grand, Prishtinë
Në korridoret e zbehuna të Grand Hotel Prishtina, hapet një dritare që paralajmëron se çka po na pret me edicionin 2025 të Re:form. RE:FORM Pre-Party po e bjen një treshe të fuqishme që ka me kallë edhe natën: Christian Duka, Ivana Dragsic, dhe RT, të premten më 11 korrik, tu fillu nga 23:45 (kur përfundon s’e dijmë se masnej koha bëhet e parëndësishme.) Një natë në hapsinën që fluturon mes kujtesës të një hoteli ikonik dhe të ardhmes së zanit elektronik që e bjen Servisi. Mos e lyp as fillimin e as fundin, veç gjeje mesin në mes të crowdit reformues, servisues…
M’u zbavit: Vinyl Thursdays me Erletën / Tuttovino, Prishtinë

Tuttovino me Andrrën dhe Zogai po e bien një seri të re mbramjesh pak ma ndryshe: çdo të enjte, ka një artist i merr nën kontroll turntables me një set ekskluziv veç me vinyl. Asnjë shërbim streaming, as laptop, veç muzikë e përzgjedhun dhe e lshume me dorë. Serinë e hap Erleta Kadriu më 10 korrik, nga ora 20:00. E njohun për dashninë e saj për vinyl dhe për shijen që shkon nga funk në disco e deri te house, Erleta sjell në çdo set një dedikim personal, të formësum nga udhëtimet e saj dhe tingujt që mbledh nëpër botë. Kuzhina e inspirume nga tapas osht e hapun deri në 22:30, me specialet e reja të korrikut në menu. Hajdeni pak ma herët për një darkë, rrini pak ma vonë për venën.
Me marrë pjesë: Java e kulturës egjiptiane / Tiranë
Tirana osht nikoqire e një koncepti t’lezeçëm me javë kulturore ndërkombtare, e tash nga data 8 deri më 12 korrik, Tirana po i hapë dyert për një përvojë të veçantë kulturore që sjell shpirtin dhe traditën e Egjiptit në zemër të kryeqytetit. Java Kulturore Egjiptiane ka me ofru një program të pasum me ngjarje që ndërthurin artin, muzikën, gastronominë dhe kinemanë egjiptiane. Në qendër të javës është vallja tradicionale Tanoura – një performancë rituale që përfaqëson lidhjen mes trupit, shpirtit dhe muzikës. Vizitorët poashtu kenë gjithashtu mundësinë me shijojnë një festival ushqimi me receta autentike egjiptiane, që vijnë me aromat, erëzat dhe shijet që karakterizojnë këtë kuzhinë të lashtë. Netët jenë të rezervuame për kinemanë egjiptiane, me filma që eksplorojnë historitë, jetët dhe sfidat e një kulture të pasur dhe dinamike. Kqyreni linkun për program.
Me këqyr: Kinemaja verore PriGlobal / edhe, Prishtinë

Festivali filmik PriFest po i bjen do super ngjarje në restoranin e.d.h.e, që u shndërru në një qendër t’mire kulturore. Pas një jave të ngjeshun dhe frymzuse me PriDox, mendjen e kemi tashmë te e martja, kur nis një kapitull i ri kinematografik me PriGlobal në kinemanë nën qiell të hapur. Këtë jave, PriGlobal sjellë filma artistikë nga mbarë bota: nga një krizë besimi në një kishë pentekostale në Holandë, tek shpërthimi i skenës punk në Poloninë e viteve ’70, e deri te një zhytje në shoqnitë e mshehta erotike në Berlinin e sotëm, me ndikime të qarta nga “Eyes Wide Shut” i Stanley Kubrick. Ashtu si gjithmonë, mbramjet shoqnohen me muzikë të përzgjedhun nga grupet që na frymëzojnë më së shumti.
M’u veshë: Studio Barrier / Prishtinë
Prishtina osht koxha gritty dhe jo bash prity, kështu që osht vend perfekt për me eksperimentu me modën e rrugës, me ndikime super-urbane edhe studio Barrier sjell tesha qe bash i shkojnë për shtati Prishtinës. Pak ndikim nga skejterat, pak nga arkitektura betonuse, pak nga hip-hopi, majicat edhe kmishat e Barrier po na duken perfekt si propozime të kësaj vere, si për ecje nën shegun përvëlues të rrugëve tona, ashtu edhe për natën flladitëse nëpër klube e festivale. Bravo Barrier. Na veç i porositëm nja dy-tri sene.
Me gjetë një hobi: Vizato & trego me Altin Ibrahimin / Europe House, Prishtinë

Nëse s’doni qysh me mbush javën me aktivitete pak ma ndryshe qe një propozim. Nëse të tërheq ka pak vizatimi, stripat ose krijimi i karaktereve t’vizatume, kjo punëtori në Europe House osht mundësi për amatera si na, me eksploru teknikat bazike të ilustrimit dhe me mësu qysh me ndërtu një tregim përmes vizatimeve të thjeshta. Nën udhëheqjen e ilustrusit dhe artistit Altin Ibrahimi, pjesëmarrësit kanë mu njoftu me procesin e krijimit të një tregimi vizual dhe ilustrimit të librave, në një ambient praktik. Nuk ka randësi niveli i përvojës, mjafton dëshira me vizatuar dhe me tregu rrëfime. Punëtoria ka mu majt më 9 korrik, nga ora 16:00 deri në 18:00, në Europe House Prishtinë. Hapësirat janë të kufizume, kqyreni linkun.
Me lexu: Stripi “Josephine Baker” nga Catel & Bocquet / GranFest, Prishtinë
Nëse historia ish veshë me pupla, ritëm dhe guxim, ajo ish dukë pak si Josephine Baker. Romani grafik “Josephine Baker” nga Catel & Bocquet, botume shqip nga Gran Fest, përkthyme nga Gaz Bërlajolli, osht shumë ma shumë se një biografi me ilustrime: osht një portret i thellë dhe madhështor i një gruaje që theu kufij, me trupin dhe shpirtin e saj. E lindun në Amerikën e segregume sipas racave, Baker u bo yll në Parisin e viteve ’20, ikonë e stilit, kërcimtare, kangëtare, por edhe partizane e rezistencës gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe aktiviste për të drejtat civile. Stripi me gati 600 faqe (!) e njek jetën e saj të jashtëzakonshme me ndjeshmëri dhe respekt, tu e përzi narrativën historike me detajet intime që vetëm format vizuale të stripit mujn me ofru. Me një stil të veçantë bardh e zi dhe një rrëfim të rrjedhshëm, autorët Catel & Bocquet e shndërrojnë figurën e Josephine Baker në një udhërrëfyse të shekullit XX — një gru që vallëzoi mbi paragjykimet, dhe jetoi me intensitet të plotë. Ky strip nuk osht veç për fansat e stripit të vizatum, osht për krejt ata që dojnë me msu qysh arti, bukuria dhe guximi mujn me bashkëjetu në një trup të vetëm. Stripin e gjeni falas në librarinë Dukagjini.
Marrë nga Suzanne Podcast. /Katror.info