Në margjinat e takimit të ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, zëvendëssekretarja e përgjithshme e Aleancës, Radmila Shekerinska, theksoi angazhimin e vazhdueshëm të NATO-s për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Ajo nxori në pah rolin e rëndësishëm të misionit KFOR dhe mbështetjen për dialogun politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Shekerinska vuri theksin te sfidat e sigurisë në rajon, duke përfshirë sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe sulmin terrorist në Banjskë, dhe theksoi rritjen e pranisë së NATO-s në terren si përgjigje ndaj tyre. Ajo gjithashtu nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me vendet e rajonit, përfshirë partneritetin me Serbinë, dhe ndikimin rus që synon destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.
“NATO do të vazhdojë të jetë partner i besueshëm për vendet e rajonit, duke punuar për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor”, tha Shekerinska./Katror.info