Stadiumi “Zahir Pajaziti” në Podujevë pritet të transformohet në mënyrë të dukshme falë një investimi publik në infrastrukturën sportive, që kap vlerën e 1.9 milionë eurove.
Vendimi për ndarjen e këtyre mjeteve është marrë në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, dhe synon ta bëjë stadiumin më të përshtatshëm për zhvillimin e ndeshjeve në standarde evropiane.
Projekti parasheh ndërtimin e një tribune të re lindore, mbulim të të gjitha tribunave ekzistuese, si dhe instalimin e ndriçimit sipas standardeve të UEFA-s për kategorinë 3.
Klubi futbollistik Llapi, që ka fushën e vet në këtë stadium, ka përshëndetur vendimin, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e futbollit në komunën e Podujevës.
“Ky është një hap i madh drejt modernizimit të infrastrukturës sonë dhe krijimit të kushteve optimale për zhvillimin e ndeshjeve në oraret mbrëmjes, gjë që pritet të ndikojë në rritjen e prezencës së tifozëve në stadium,” thuhet në njoftimin e klubit.
Ky financim shihet si një mundësi për të forcuar kapacitetet organizative të klubit dhe për të rritur konkurrencën në arenën futbollistike brenda vendit./Katror.info