Presidentja Osmani ka ndarë mirënjohje presidenciale për ekipin fitues të studentëve të Fakultetit Juridik në garën ndërkombëtare të drejtësisë.
“Mirënjohje Presidenciale për ekipin e Fakultetit Juridik që dolën të tretët në garën më prestigjioze të drejtësisë në botë.
Ata janë personifikimi më i mirë i rinisë sonë–të talentuar, të motivuar e të përkushtuar për të arritur çdo sukses e për ta ngritur lartë e më lartë shtetin tonë”, thuhet në njoftimin e presidentës Osmani.
“Prandaj sot, në prezencë të disa prej ish-pjesëmarrësve të garës VIS moot, shumë prej të cilëve edhe kisha nderin t’i trajnoja për rreth 15 vite, si dhe të ekipeve më të reja të Universitetit tonë, e mbi të gjitha në prezencë të prindërve të studentëve, shprehëm sërish mbështetjen dhe krenarinë tonë për studentët tanë”, thuhet tutje në njoftim.
Studentët e fakultetit Juridik kanë arritur sukses në garën botërore “Willem C Vis International Arbitration Moot”, në Vjenë të Austrisë, duke arritur të shkonin deri në gjysmëfinale, duke lënë prapa rreth 364 universitete në botë./Katror.info