Sot fillon “Defender Europe 2025”, ushtrimi më i madh ndërkombëtar i organizuar dhe drejtuar nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë. Në këtë ushtrim marrin pjesë 29 shtete me rreth 25 mijë ushtarë të angazhuar, përfshirë edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), e cila do të ketë rol të rëndësishëm në këtë operacion, shkruan Katror.info.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, deklaroi se Kosova është një nga shtetet pritëse të këtij ushtrimi të përmasave të mëdha, ku do të vendoset edhe Shtabi i Divizionit të 28 të Ushtrisë Amerikane. Po ashtu, Forcat e Armatosura të Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë do të jenë pjesë aktive e ushtrimeve në territorin e Kosovës.
Për dy javë, Kosova do të shërbejë si qendër e rëndësishme operacionale. Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, nga sot deri më 9 qershor do të ketë lëvizje të shumta të konvojeve ushtarake nga vendbazimet e FSK-së drejt rajonit të Gjakovës, konkretisht në Aeroportin e Gjakovës dhe në poligonin ushtarak në Babaj të Bokës.
“Forca e Sigurisë së Kosovës përmes ekzekutimit të këtij ushtrimi do të dëshmojë gatishmërinë operacionale dhe ndërveprueshmërinë luftarake me vendet partnere dhe aleate, përfshirë SHBA-në”, theksoi Ministria e Mbrojtjes në prag të fillimit të “Defender Europe 2025”.
Ky ushtrim vlerësohet si një sinjal i fuqishëm i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe i angazhimit të përbashkët për sigurinë dhe stabilitetin në rajon./Katror.info.