Prej kohësh ishte hamendësuar, por asnjëherë nuk kishte pasur një dëshmi të qartë se njerëzit modernë kishin jetuar në territorin e Kosovës rreth 40 apo 50 mijë vjet më parë. Kjo pikëpyetje tashmë ka marrë një përgjigje të qartë falë një zbulimi të rëndësishëm arkeologjik.
Ekipi i përbashkët i Universitetit të Tübingen-it nga Gjermania dhe Institutit Arkeologjik të Kosovës ka konfirmuar gjetjen e provave që vërtetojnë praninë e hershme të njerëzve në rajonin e Drenasit, të datuara rreth 50 deri në 60 mijë vjet më parë.
“Po, jemi shumë të kënaqur. Gjetëm atë që po kërkonim. Qëllimi ynë ishte të gjenim gjurmë të njerëzve më të hershëm në Kosovë, dhe tani mund të themi se e kemi arritur,” deklaroi profesori gjerman i arkeologjisë, Harald Floss, nga Universiteti i Tübingen-it.
Ai nuk zbuloi saktësisht vendndodhjen e gërmimeve, por konfirmoi se ato janë bërë në një zonë të hapur në rajonin e Drenasit – jo në shpellë – dhe se artefaktet e gjetura i përkasin periudhës së Paleolitit.
“Kjo është pikërisht ajo që po kërkonim. Një lajm shumë i rëndësishëm për historinë tonë. Nuk është keq,” shtoi Floss me një buzëqeshje.
Arkeologu Luan Gashi nga Instituti Arkeologjik i Kosovës theksoi se ky është zbulimi i parë i periudhës së Paleolitit në Kosovë, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për shpellën e Radacit, por për një vend tjetër krejtësisht të ri.
“Ky është një moment i madh për arkeologjinë tonë. Gjetjet do të publikohen së shpejti, dhe janë rezultat i një projekti të mbështetur nga Ministria e Kulturës,” theksoi Gashi.
Më shumë për këtë zbulim do të mund të ndiqni në emisionin “KREJT KAPAK” me Milotin në Klan Kosova.