Deputetët e zgjedhur më 9 shkurt do të mblidhen sërish nesër (23 maj) në Kuvendin e Kosovës në përpjekjen e 20-të për konstituimin e Legjislaturës së nëntë. Vazhdimi i seancës konstituive është paraparë të nisë në orën 11:00.
Të mërkurën ka dështuar përpjekja e 19-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Sërish nuk u arrit të formohet komisioni për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Nën drejtimin kryesuesit Avni Dehari, seanca serish nuk pati kuorum për vendimmarrje lidhur me komisionin zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, pasi subjektet politike parlamentare, PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK-Nisma, nuk propozuan deputetë për anëtarë të këtij komisioni, shkruan RTK.
Për përbërjen e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, votuan 54 deputetë, një votoi kundër, ndërsa abstenime nuk pati.
E derisa dështimi për konstituimin e Kuvendit po përsëritet tash e 19 herë, partitë politike vazhdojnë të kritikojnë njëra-tjetrën për bllokadën politike./Katror.info