Sot, fillon zyrtarisht viti i ri shkollor 2024/2025 në Kosovë, i cili pritet të sjellë edhe disa ndryshime në kurrikulën mësimore, me shtimin e lëndëve të reja që synojnë përmirësimin e cilësisë së arsimit në vend.
Mësimi nuk do të kufizohet vetëm në libra dhe në teori. Do të ketë aktivitete praktike, lojëra edukative, rekreacion e kulturë.
Nga sot mësimi tërëditor pritet që të nisë së zbatuari në pesë shkolla të kryeqytetit. Bazuar në organizimin që po bëhet, nxënësit e klasave të pesta të këtyre institucioneve arsimore do të jenë në objekte shkollore nga tetë orë e gjysmë në ditë. E për jetësimin e procesit parashihen edhe lëvizje të nxënësve nga një shkollë në tjetrën.
Shkollat ku do të nisë ky projekt, janë: “Faik Konica”, “Xhemail Mustafa”, “Shkolla e Gjelbër”, “Nazim Gafurri” dhe “Qamil Batalli”.
.Më herët drejtori i shkollës “Qamid Batalli” Liridon Maliqi, tregoi se në bazë të organizimit që po bëhet, parashihet që nxënësit e klasave të pesta të qëndrojnë në shkollë tetë orë e gjysmë.
“Klasat e para dhe të dyta do të qëndrojnë nga ora 7:45 deri pak para orës 15:00, ndërkaq të tretat dhe të katërtat prej 7:45 deri në orën 15:15, dhe klasa e pesta do të qëndrojnë nga ora 7:45 deri në orën 16:15. Kështu, në këtë organizim do të qëndrojnë në shkollën tonë, ndërkaq do të mbahet mësimi i rregullt fillimisht, e pastaj do të kemi aktivitete të tjera”, ka thënë Maliqi.
Shkaku i organizimit të mësimit gjithëditor, do të ketë lëvizje nxënësish nëpër shkolla. Filloristëve të shkollës “Qamil Batalli” do t’u bashkohen ata të shkollës “Emin Duraku”. E nxënësit e nivelit të mesëm të ulët të të dy shkollave, procesin mësimor do ta zhvillojnë në shkollën “Emin Duraku”.
Mësimi tërëditor është paraparë edhe për filloristët e Shkollës së Gjelbër e asaj “Nazim Gafurri”. Nxënës të klasave nga e 6-ta deri në të 9-n të të dy shkollave do të zhvendosen në objektin e gjimnazit “Eqrem Çabej”. E gjimnazistët e saj do të barten te gjimnazi “Ahmet Gashi”.
Lëvizje do të ketë edhe te shkollat “Faik Konica” e “Xhemail Mustafa”, nxënësit e klasave të gjashta të të cilave do të vendosen në objektin e gjimnazit “Xhevdet Doda”. E gjimnazistët e saj do t’u bashkohen bashkëmoshatarëve në Gjimnazin e Specializuar Matematikor.
Një pilotprojekt për mbajtjen e mësimit gjithëditor pati nisur para 7 vjetësh, por u ndërpre për mungesë të kushteve infrastrukturore./Katror.info