Ka filluar transmetimi i Festivalit të Këngës të Radiotelevizionit të Kosovës.
Skenografia e punuar nga Shqipe Kamberi dhe Rudina Xhaferi, tashmë është zbuluar. Dy prezantuesit të ekraneve televizive shqiptare, Adi Krasta e Besim Dina kanë bërë hapjen e edicionit, që po cilësohet historik.
“Artistëve të Kosovës, të dikurshëm e të tashëm, të vjetër e të rinj, të cilët krijuan në ditë të vështira e të bukura, me dashuri të madhe për vendin dhe kombin, ky festival u dedikohet”, u tha në fillim të këtij festivali.
Kryetarja e jurisë së Festivalit të Këngës në RTK, Alma Bektashi ka çmuar organizimin e kësaj ngjarje. Ajo ka thënë se Kosovës i është dashur më herët një festival i tillë.
“Është dashtë të fillohej më herët se sa pas 20 e disa vjetëve, por unë jam gëzuar shumë sepse kur kam hyrë në prova e pata një lloj emocioni të pashpjegushëm sepse m’u kujtua vetja kur kam qenë 16 vjeç dhe kam kënduar te Akordet e Kosovës, ndoshta ai ka qenë festivali i fundit”, ka thënë ajo.
Gjithashtu kryetarja e jurisë ka çmuar ndikimin e festivaleve për karrierën e artistëve të rinj.
“Festivalet gjithmonë i kam dashur dhe gjithmonë do t’i dua pafundësisht sepse festivalet për çdo këngëtar, njësoj si për mua në fillet e karrierës, janë trampolinë për të ecur përpara”, ka thënë Bektashi.

Tetëmbëdhjetë këngëtarë/bende janë përzgjedhur që të marrin pjesë në netët finale të Festivalit të parë të Këngës, të organizuar nga Radiotelevizioni i Kosovës.

Të vlerësuar për diversitetin e zhanreve të ndryshme, pjesmarrësit janë: InorgA me këngën “Shumë herë më nervozojnë”, Albin me “Ajo”, Bana Zahiti me “Dukat”, La Fazani me “Oj Kosovë”, Arjela Krasniqi me “Emri grua”, Auron Deva me “Çmimi i dashnisë”, Vjosa Shehu me “Vetes”, Angus Dei me “Një zemër për dy”, Ermal Demiri me “Merri”, Franc Koruni me “Shqip”, Mentor Mripa me “Po ju rrëfehem”, Neki Emra me “Heroi im”, Nita Latifi me “Marrëzi”, Saranda Alija me “Mendj ku je”, Teuta Statovci me “Sekreti i tij”, Urban Band me “Ëndrrat s’kanë faj”, Klea Dina me “Trenat” dhe Hilmi Obertinca me “Pa ty s’më rrihet”, të cilat do të prezantohen në Festivalin e Këngës. /Katror.info

Përgatiti:
