Nëse qëndron mjaftueshëm gjatë në shëtitoret e Belle Isle Marsh Reservation në Boston, mund të shohësh rreth një të katërtën e të gjithë zogjve vendas të SHBA-ve.
Kjo kënetë e kripur është një nga të fundit të mbetura në qytet, e mbrojtur që nga vitet 1980 nga komuniteti lokal për shkak të rëndësisë së saj ekologjike.
Deri tani, janë regjistruar 271 lloje zogjsh, përfshirë lloje të rralla si – bufi me veshë të shkurtër, çafka e vogël dhe rosaku mbretëror, shkruan Good News Network, përcjell Katror.info.
“Kur hyn në këtë zonë, ke ndjesinë sikur ke dalë nga qyteti dhe ke hyrë në një botë tjetër,” thotë Heather Famico nga Departamenti i Konservimit dhe Rekreacionit (DCR).
Këneta me 359 hektarë ndodhet midis qyteteve të urbanizuara Boston dhe Revere, pranë Aeroportit Logan.
Ajo mbron zonat përreth nga erozioni bregdetar, përthith përmbytjet, dhe ofron një parajsë për zogjtë shtegtarë, si dhe një hapësirë për relaksim për banorët.
Falë aktivistëve nga “Friends of Belle Isle” që ndaluan zhvillimet ndërtimore, sot Belle Isle mbetet një oaz i freskët në mes të qytetit dhe një model për ruajtjen e natyrës urbane./Katror.info